Drejtori i Interit njofton për situatën e Icardit

Drejtori ekzekutiv i Interit, Beppe Marotta, ka bërë të ditur edhe një herë se qendërsulmuesi argjentinas nuk është më pjesë e planeve të Interit për ekipin e parë. Marotta shtoi se është optimist për transferimin e Alexis Sanchezit nga Manchester Unitedi.

Marketing

Bashkëshortja dhe menaxherja e Mauro Icardit, Wanda Nara, bëri të ditur në një televizion kombëtar italian, këtë fundjavë, se burri i saj do të qëndrojë në Inter, përkundër që është injoruar nga trajneri i ri, Antonio Conte

Kjo deklaratë e Naras e shtyu Marottan dhe presidentin e Interit, Steven Zhang, ta theksojnë sërish se sulmuesi nuk ka vend në projektin e klubit për sezonin e ardhshëm, pas një takimi mes drejtuesve të klubit.

Conte e kishte bërë të qartë qysh nga momenti kur u emërua trajner i Interit se nuk e dëshiron Icardin në skuadër, mirëpo insistimi i argjentinasit që ta lë Interin vetëm për Juventusin ka bërë që ai të mbetet ende në skuadrën e zikaltërve.

Së fundi, Marotta e theksoi sërish se Interi nuk ka ndryshuar mendje sa i përket të ardhmes së Icardit, përkundër që çfarëdo marrëveshje për shitjen e tij duhet të arrihet deri më 2 shtator, kur mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane.

“Gjithçka është në rregull. Pozicioni ynë mbetet i njëjtë”, tha Marotta për Sky Sport Italian.

Ish-menaxheri i përgjithshëm i Juventusit pastaj u pyet për Sanchezin, i cili pritet që të transferohet së shpejti nga Manchester Unitedi në formë huazimi.

“Jam gjithmonë optimist”, u përgjigj Marotta.