Në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të manifestimit kulturoro-shkencor për shënimin e 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit sot u promovua libri i Remzi Nesimit “Për gjuhën shqipe” dhe vëllimi 24 i revistës “Scupi”, ku janë botuar punimet e sesionit shkencor me titull “Kontributi i profesorit Remzi Nesimi për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare”. Në këtë manifestim mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela.
Në praninë e familjarëve e kolegëve të Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, aty ku për shumë vjet punoi profesori Remzi Nesimi, u fol shumë për kontributin dhe veprën e tij me të cilën la gjurmë të thella në gjuhësinë shqiptare.
Fjalë rasti para të pranishmëve mbajti profesori dr. Avzi Mustafa, gjuhëtarët dr. Qemal Murati e dr. Hidajete Azizi, ashtu si edhe redaktori përgjegjës – dr. Zeqirija Ibrahimi. Me këtë rast ata theksuan se profesor Remziu ishte personalitet i shquar i botës intelektuale shqiptare, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në shkencat filologjike, në fushën e dialektologjisë duke promovuar pasuritë shpirtërore e gjuhësore dhe vlerat e kulturës shqiptare, në përgjithësi.