Drejtoria e doganave konfiskon rekord të stolive prej ari, me vlerë prej 2,3 milionë euro

“Dje në orët e mbrëmjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, doganierët zbuluan dhe konfiskuan mbi 43 kilogramë stoli ari. Bëhet fjalë për konfiskim rekord të stolive prej ari, i cili vlerësohet të jetë rreth 2,3 milionë euro”, tha drejtoresha e Drejtorisë së doganave, Sllavica Kutirov, në konferencën për media, ku informoi për konfiskimin e stolive prej ari.

Marketing

Gjegjësisht, pas informatave paraprake dhe dyshimeve bazë, një person me dokument udhëtimi serb, i cili ka mbërritur me fluturimin e rregullt të mbrëmjes nga Stambolli, është udhëzuar për kontroll dhe ekzaminim të detajuar të bagazhit. Në të njëjtën kohë, në valixhen dhe bagazhin e tij të dorës u zbuluan stoli të ndryshme prej ari të paketuara në thasë najlloni, mes tyre edhe ari të bardhë me diamante dhe me certifikata bashkëngjitur. Personi fillimisht është drejtuar nga kanali gjelbërt dhe nuk e ka denoncuar mallin.

Personi dhe malli janë ndaluar përkohësisht dhe për momentin po kryhen hetime. Në hetim janë përfshirë Sektori për kontroll dhe hetime dhe Sektori për përgjegjësi profesionale pranë Drejtorisë së doganave. Lidhur me rastin menjëherë është njoftuar prokurori publik kujdestar për kryerjen e veprimeve të mëtutjeshme hetimore.

“Drejtoria e doganave, në kuadër të prioriteteve të saj për mbrojtjen e shoqërisë dhe sigurinë e qytetarëve, është e fokusuar fuqishëm në luftën kundër krimit dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme. Në vitin 2022 kemi dyfishim të numrit të rasteve të parandalimit të tregtisë së paligjshme në të gjitha kategoritë në krahasim me vitin 2021”, tha Kutirov.

Krahasuar me vitin 2021, kur kishte 58 raste të konfiskimeve, vitin e kaluar janë regjistruar gjithsej 114 raste të konfiskimeve dhe konkretisht: mbi 8 ton drogë dhe substanca psikotrope, si dhe konfiskim të devizave, ar dhe mallra të akcizës mbi 2 milionë euro. Prej tyre në 5 raste janë sekuestruar 33.8 kilogramë ar, me vlerë rreth 1.5 milionë euro. I njëjti i është dorëzuar Agjencionit për pronat e konfiskuara, e cila më tej do ta depozitojë në Bankën Popullore, deri në përfundimin të procedurës gjyqësore.

Nga fillimi i këtij viti 2023, siç informoi Kutirov, Drejtoria e doganave ka regjistruar 18 raste të parandalimit të tregtisë ilegale në disa kategori, ndër të cilat: 2 raste të konfiskuara me rreth 50 kilogramë drogë dhe substanca psikotrope, 9 raste të konfiskimit mallrave të akcizës (duhan si dhe duhan të përpunuar, cigare elektronike dhe duhan nargjile) dhe 3 raste të konfiskimit të devizave, me vlerë totale mbi 90 mijë euro, si dhe 2 raste të sekuestruara ari, përfshirë edhe këtë rast, me një total të vlerësuar me mbi 2 .3 milionë euro.

Marketing