Dronët iranianë në lëvizje, forcat amerikane vihen në gatishmëri maksimale

Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë vendosur mbrëmjen e së hënës në gjendje gatishmërie maksimale. Duke cituar dy burime, CNN raporton se alarmi u dha pasi ishte vërejtur një lëvizje e dronëve iranianë, të cilët duhet të rrëzoheshin nga antiraketat amerikane në rast të një sulmi.

Marketing

Inteligjenca e SHBA-së ka vëzhguar në ditët e fundit lëvizjet e pajisjeve ushtarake të Iranit, përfshirë dronët dhe raketat balistike. Zyrtarët amerikanë thonë se këto lëvizje mund të bëhen nga Irani për të siguruar pajisjet ushtarake nga një sulm i mundshëm i SHBA-së, ose mund të vihen në pozicione për të sulmuar bazat amerikane.

“Kishte indicie se duhet të monitoronim këcënimin edhe më nga afër se sa e kemi bërë deri më tani”, ka deklaruar një zyrtar amerikan për CNN sa i përket alarmit të dhënë të hënën në mbrëmje. Zyrtari i dytë ka deklaruar se të “gjitha raketat Patriot dhe forcat ushtarake u vendosën në gatishmëri maksimale kundër çdo kërcënimi të një sulmi të shpejtë”.

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të jenë të larta për shkak të vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani nga forcat amerikane. Irani ka paralajmëruar për kundërpërgjigje ndaj SHBA-së.