Duka takoi karateistët më të suksesshëm dibran

Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka në kabinetin e tij i pranoi karateistët më të suksesshëm dibran, anëtarë të Klubit të Karatesë “Uraniku”, të kryesuar nga trajneri i tyre Durim Paçuku.

Marketing

Te kryetari i Komunës ishin Rion Pasholli dhe Sara Duka të cilët u shpërblyen me medalje të arta, si dhe Venisa Dumani dhe Azis Ramadani të cilët fituan medalje të argjendta në Kampionatin shtetëror të karatesë, që më 4 maj u mbajt në Kavadar.

Me suksesin e arritur ata fituan të drejtën që të jenë pjesë e reprezentacionit të karatesë së Maqedonisë së Veriut që do të mbahet në Banja Llukë, të Bosnje dhe Hercegovinës, nga 30 maji deri më 3 qershor.

Me ta ishte edhe anëtari më i mirë i KK “Uraniku” Ardit Marku, i cili nesër udhëton për Stamboll të Turqisë, si pjesë e reprezentacionit të karatesë, pasi në Kampionatin Ballkanik të vitit të kaluar e fitoi vendin e tretë.

“Atje do të mbahet SERIE A që mundëson grumbullimin e pikëve për Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 2020. Qëllimi ynë është që të kemi sa më shumë fitore që të mundemi të sigurojmë pikët e nevojshme të cilat do të jenë “vizë” për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike”, sqaroi në takim trajneri Paçuku.

Kryetari Paçuku ua uroi suksesin e madh, ndërsa Markut i dëshiroi që t’i realizohet ëndrra olimpike.

“Ndjehem krenar për suksesin e arritur dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetit tonë në të gjitha garat, prej ku ktheheni me medalje. U uroj suksesin dhe vetëm kështu vazhdoni. Dëshira ime është që Arditi t’i marrë pikët e nevojshme dhe të merr pjesë në Lojërat Olimpike dhe gjithsesi të arrijë sukses”, tha Duka.

Ai shprehu gatishmëri për bashkëpunim dhe premtoi mbështetje në kuadër të mundësive të komunës.

Marketing