Pas disa muajsh pune intensive në terren, përfunduan aktivitetet ndërtimore për rregullimin e shtratit të lumit të Likovës. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNDP-së për të përmirësuar gjendjen e vendit në drejtim të mbrojtjes nga përmbytjet në rajonet me rrezik të lartë.
Në terren sot kanë qenë Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Luiza Vinton dhe kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi.
“Bëhet fjalë për një nga projektet e shumta, të suksesshme, të cilat janë rezultat i bashkëpunimit të frytshëm që Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në fushën e menaxhimit të ujërave dhe të rrezikut nga përmbytjet. Ky lloj i projekteve do të vazhdojë të jetë prioritet për ministrinë në të ardhmen, duke pasur parasysh rreziqet e përmbytjeve me të cilat përballen vendbanime të shumta në vend “, tha ministri Sadulla Duraki.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Luiza Vinton, tha se duke njohur nevojën për të krijuar një sistem për menaxhimin e integruar të rrezikut të përmbytjeve për një kohë të gjatë, UNDP po punon për realizimin e planeve dhe studimeve gjithpërfshirëse, si dhe projekte të veçanta për të zbutur rrezikun në territorin e vendit.
“Ky lloj i projekteve të infrastrukturës luan një rol të rëndësishëm në reduktimin e drejtpërdrejtë të rrezikut dhe forcimin e rezistencës. Megjithatë, sigurimi i mbrojtjes afatgjate varet nga forcimi institucional dhe futja e instrumenteve të duhura financiare për parandalim”, shtoi Vinton.
Është një projekt me të cilin u vazhdua rregullimi ekzistues në Likovë prej 400 metrash shtesë, për të cilin nga UNDP u siguruan rreth 200,000 dollarë.
“Kjo është një nga seritë e projekteve të infrastrukturës të zbatuara në periudhën e fundit në territorin e komunës së Likovës, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së popullatës lokale. Falë mbështetjes së UNDP-së, arritëm të sigurojmë mbrojtje solide nga përmbytjet në një pjesë shumë të rëndësishme të qendrës së Likovës “, tha kryetari i komunës Erkan Arifi.
Projekti është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNDP-së për të përmirësuar gjendjen e vendit në drejtim të mbrojtjes nga përmbytjet në rajonet me rrezik të lartë.