Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka informuar për kompetencat dhe aktivitetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
Në fillim ministri Durmishi falënderoi për besimin e dhënë për të menaxhuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.
“Si ministër, premtoj se në mandatin tim do të punoj palodhur për të arritur qëllimet dhe premtimet e bëra për qytetarët dhe biznesin, e që është përmirësimi i klimës afariste dhe standardit jetësor. Nga sot e tutje, unë do të përkushtohem përmes krijimit të masave dhe politikave për të filluar cikël të ri për ringjalljen ekonomike të shtetit dhe përmirësimin e të drejtave të punëtorëve” tha ministri Durmishi.
Ministri sqaroi se në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, me riorganizimin e ri, fokusi kryesor do të jetë: rritja e mbështetjes së industrisë,krijimi i masave për kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, rritja e konkurrentësisë së biznesit, tregu i brendshëm, tregtia, si dhe mbështetja e punëdhënësve, krijimi i masave dhe politikave për punësim, përmirësimi i tregut të punës dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.
“Në fushën e investimeve: Do të vazhdojmë me mbështetjen financiare për investimet për kompanitë vendore dhe të huaja, e cila është e rregulluar me Ligjin për mbështetjen financiare të investimeve, Ligj ky që është në kompetencën tonë.
Ne planifikojmë të rishikojmë procedurën dhe kushtet për dhënien e ndihmës shtetërore me qëllim të rritjes së vlerës së mbështetjes për kompanitë vendore që eksportojnë dhe kompanitë nga sektorët me përparësi konkurrente.
Në fushën e konkurrentësisë së kompanive: Do të punojmë në një koncept të përgjithshëm për të mbështetur konkurrentësinë e industrisë maqedonase, transformimin e gjelbër dhe digjital të industrisë, ekonomi cirkulare dhe bashkëpunim intensiv me akademinë për transferimin e njohurive, hulumtimit dhe zhvillimit dhe inovacioneve. Në komunikim dhe dialog me sektorin e biznesit dhe odat, do të punojmë në krijimin e vizionit të përbashkët për sfidat me të cilat përballen kompanitë si në tregjet vendore ashtu edhe në ato të eksportit. Do të krijojmë masa të reja që do të rezultojnë nga kërkesat e kompanive. Do të jemi zëri kryesor i biznesit në Qeveri për të transmetuar kërkesat, nevojat dhe prioritetet e tyre në mënyrë që të krijojmë kompani më konkurrente, ekonomi më konkurrente, e si rrjedhojë edhe investime të reja që do të krijojnë vende të reja pune” tha Durmishi.
Sipas ministrit në fokus do të mbeten ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë më të shumtat në industrinë vendore. Do të rriten financimi dhe masat që do t’i krijojmë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
“Do të përqendrohemi mbështetjen e plotë infrastrukturore dhe logjistike të zonave industriale.Investitorët e huaj, sektori i biznesit, punëdhënësit dhe odat do të konsultohen gjatë miratimit të të gjitha zgjidhjeve ligjore, ndërsa ne do të jemi partneri i tyre për bashkëpunim. Të drejtat e punëtorëve dhe tregu i punës do të jenë sfida jonë e re në të cilën do të japim përkushtim maksimal. Do të kem nderin të kryesoj edhe sektorin që synon punëtorët. Prioriteti im do të jenë promovimi i të drejtave të punëtorëve, mbrojtja e të drejtave punëtore. Me riorganizimin e ri dhe marrjen përsipër të sektorit të punës në kompetencën tonë, do të lidhen në një tërësi biznesi dhe punëtorët. Me këtë ndërlidhje ofrohet mundësia për të parë dhe dëgjuar të gjithë faktorët në një proces prodhimi, tha Durmishi dhe shtoi që në përputhje me programin e Qeverisë, përmes Agjencisë së punësimit, e cila tani me riorganizimin e ri kalon në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, do të sjellim programe që do të synojnë masat për punësimin e të rinjve, krijimin e shkathtësive dhe kualifikimeve, rikualifikimin dhe kualifikimin shtesë të kategorive të rrezikuara, trajnimet dhe shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës, mbështetjen për sipërmarrësinë, si dhe bashkëfinancimin e trajnimeve për përdorimin e teknologjive të reja, për të cilat do të sigurohet buxhet prej 150 milionë euro.
“Agjencia e punësimit do të bëhet ndërmjetësues efektiv mes punëtorëve dhe punëdhënësve.
Do të bëjmë reformë të plotë të masave aktive të tregut të punës në mënyrë që të arrihen efektet e mirëfillta.
Zbatimi i këtyre masave do të bëhet përmes procesit gjithëpërfshirës duke integruar komunitetin e biznesit, odat me Agjencinë e punësimit.
Do të bëjmë sistematizimin dhe optimizimin e plotë të ligjeve dhe akteve nënligjore që rregullojnë fushën e politikës së punës dhe mbrojtjes sociale” potencoi Durmishi.
Ministri njoftoi se në periudhën në vijim do të parashtrojmë kërkesë në Entin Shtetëror të Revizionit për revizion të plotë të funksionimit të Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga viti 2015, kur është kryer për herë të fundit revizion i plotë i funksionimit të Ministrisë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
“Qëllimi i këtij revizioni është që ne, por edhe i gjithë opinioni të shohim se si është punuar në kohën e pushtetit paraprak” tha Durmishi.