Durmishi theksoi se bojkotimi është një e drejtë e qytetarëve dhe konsumatorëve, të cilët kanë të drejtë të vendosin se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre.
“Ne mbështesim qytetarët në bojkotin e tyre, veçanërisht ndaj tregjeve që vitet e fundit kanë rritur çmimet e produkteve pa asnjë arsyetim ekonomik. Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, duke ngrirë marzhin e produkteve ushqimore bazë, në mënyrë që të parandalojmë rritjen e paarsyeshme të çmimeve. Mirëpresim çdo iniciativë që ka si qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Qeveria e mëparshme toleroi tregtarët, të cilët përfituan në mënyrë të padrejtë përmes rritjes joreale të çmimeve, duke pasuruar veten në dëm të qytetarëve. Kjo praktikë duhet të ndalet.”
“Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren dhe monitoron çmimet e produkteve. Nëse do të ketë rritje të paarsyeshme të çmimeve dhe shkelje të logjikës së tregut, ne do të përdorim të gjitha mekanizmat që kemi dhe do të miratojmë masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve,” shtoi Durmishi.