Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, në kuadër të vizitës zyrtare në
Prishtinë, Republikën e Kosovës realizoi sot takim pune me ministren e Ekonomisë
Artane Rizvanolli.
Gjatë vizitës dhe takimit zyrtar, u shkëmbyen mendime për çështje të rëndësishme që
lidhen me thellimin e bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve, projektet e ardhshme të
lidhjes rajonale.
Gjatë takimit, Ministri Durmishi vuri në dukje se Ministria e Ekonomisë dhe Punës, me
marrjen përsipër të kompetencave të reja, do të përqendrohet, ndër të tjera, në lidhjen
dhe mbështetjen më të madhe rajonale për biznesin vendor për të rritur
konkurrentësinë.
“Jemi të interesuar të rrisim bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në çdo fushë.
Vizioni dhe strategjia që kemi para nesh si Qeveri parashikon bashkëpunim më të
ngushtë rajonal dhe vetëm përmes mbështetjes së ndërsjellë, mbi të gjitha në fushën e
projekteve rajonale, jam i bindur se përfitimet do të jenë të dyanshme dhe progresi do të
jetë i dukshëm për të dy vendet”, tha ministri Durmishi.
Ministri Durmishi shprehu besimin e tij të fortë se konkurrenca rajonale do të forconte
rezistencën e rajonit, do të sillte prosperitet për qytetarët, do të krijonte treg më të fortë
pune, do të sillte rritje dhe një të ardhme të ndritur për ekonomitë dhe në të njëjtën kohë
do t'i përgatiste ato për hyrje në tregun e madh të Bashkimit Evropian.
Të dy ministrat ranë dakord se ka disa iniciativa për lidhjen rajonale, dhe ekziston
vetëdije te të dy qeveritë për përfitimet që i sjellin integrimet rajonale. Është e
nevojshme të punohet në mënyrë aktive në të dyja palët për të zbatuar iniciativat dhe
marrëveshjet për zbatimin e integrimeve rajonale.