Disa kohë më parë, një veprim i tillë do të ishte pothuajse i papërfytyrueshëm në Turqi. Por tani një aleat i Rexhep Tajip Erdoganit i kthen presidentit shpinën – dhe pozicionohet politikisht kundër tij.
Ish-kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka dhënë dorëheqjen nga partia në pushtet, AKP e udhëhequr nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogani. Kjo u bë e ditur nga Davutoglu në një konferencë shtypi në Ankara. Ai njoftoi në të njëjtën kohë krijimin e një partie të re. Është një “përgjegjësi historike, si dhe një domosdoshmëri” për të “ndërtuar një lëvizje të re politike dhe për të marrë një rrugë të re”, tha Davutoglu. Ai fton të bashkëpunojnë të gjithë ata, “zemra e të cilëve rreh për të ardhmen e këtij vendi”.
Katër shokë
Davutoglu e mbajti konferencën e shtypit së bashku me ish-deputetët e AKP-së Selcuk Özdag, Abdullah Basci dhe Ayhan Sefer Üstün, të cilët gjithashtu njoftuan daljen nga partia – por që me këtë hap ndoshta i dolën përpara një përjashtimi. Korrespondentët e agjencive të lajmeve shkruajnë në këtë sfond për dukuri shpërbërjeje në partinë më të fuqishme në vend. Sipas njoftimeve në shtyp, disa figura në AKP janë të pakënaqur me kursin e Erdoganit.
Në korrik doli nga partia ish-zëvendëskryeministri Ali Babacan. Vitet e fundit janë hapur hendeqe të mëdha midis parimeve, të cilave u beson ai dhe veprimeve të AKP-së, shkroi Babacan në atë kohë si argumentim. Sipas medieve, edhe ai gjithashtu do të themelojë një parti të re.
Largim nga parimet
Davutoglu e kishte akuzuar së fundi disa herë AKP-në se po largohet nga parimet e saj bazë. Ai kritikoi, ndër të tjera, anulimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Stamboll në mars. AKP-ja atëherë i humbi zgjedhjet. Në përsëritjen e zgjedhjeve në fund të qershorit, e cila u krye për shkak të presionit të fortë të qeverisë, kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu fitoi për herë të dytë.