Dy anketa brenda 24 orëve, por krejt ndryshe!

Brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut janë publikuar dy anketa për rejtingun e partive politike dhe për vlerësimet e qytetarëve lidhur me atë se kah po shkon vendi, përcjell INA.

Marketing

Bëhet fjalë për anketat e realizuara nga Market Vision për nevojat e portalit “mkd.mk”, si dhe një anketë të realizuar nga agjencioni “Stratum” për javoren “Fokus”.

Por të dhënat që publikohen thuajse janë kontradiktore dhe shkaktojnë huti, sepse ka mendime krejtësisht ndryshe.

Sipas anketës së Market Vision sa i përket rejtingut të liderëve politik, 12.3% i besojnë Hristijan Mickoskit të VMRO-DPMNE, 3.5% për Dimitar Kovaçevskin e LSDM, 3.7% për Ali Ahmetin e BDI-së, 3.1% për Dimitar Apasievin e Të Majtës, 0.9 % për Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, 0.4% për Izet Mexhitin e LD-së, 0.3% për Afrim Gashin e Alternativës, ndërsa nuk është në anketë Arben Taravari i ASH-së dhe në vend të tij nga ASH është shkruar Ziadin Sela me 0.3%.

Po ashtu sipas kësaj ankete, një e katërta e të anketuarve thanë se në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë për partinë politike VMRO-DPMNE (25,1%), e ndjekur nga BDI me 9,7%, LSDM me 9,5% dhe Levica me 7,1%, ASH me 3.1%, Lëvizja BESA me 2.5%, Lëvizja Demokratike 1%, Alternativa 0.9%, PDSH 0.4%, Partia Maksim Dimitrievskit 1.1%, etj.

Ndërsa anketa e realizuar nga agjencioni “Stratum R&D” në fillim të këtij muaji për nevojat e javores “Fokus” tregon të dhëna tjera.

Lidhur me rejtingun e liderëve të partive dhe cili është më i preferuari: 12.8% janë deklaruar për Kovaçevskin e LSDM-së, pas tij është ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevsdki me 11.1% dhe i treti radhitet Mickoski i VMRO-DPMNE-së me 10.5%.

Tek liderët shqiptarë: Ali Ahmeti me 4.7%, Arben Taravari me 3.1%, Bilall Kasami me 2.4%, Izet Mexhiti me 1.4%, Afrim Gashi me 1.3%.

Sa i përket partive politike: 15.8% do të votonin për LSDM, 10.1% për VMRO-DPMNE-në, 6.2% për BDI, 4.2% për koalicionin BESA, AAA, LD, dhe 2.7% për ASH-në, etj.(INA)