Dy deputetët e NSDP-së nuk do t’i bashkohen qeverisë

Deputet e partisë maqedonase NSDP, Goran Misovski dhe Sonja Mirakovska do të jenë në opozitë. Kështu ka vendosur Bordi Qendror i kësaj partie. Bordi e ka shqyrtuar raportin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024 në seancën e mbajtur të dielën në Shkup. Nga partia bëjnë të ditur se raporti është miratuar njëzëri.

Marketing

PARTIA NSDP

“Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, NSDP mbetet parti parlamentare me dy deputetë në përbërjen aktuale parlamentare. Bordi qendror ka konstatuar që në periudhën e ardhshme deputetët të veprojnë në opozitë, ndërsa mënyra dhe forma e veprimit të opozitës do të vendoset në seancën e ardhshme të shtatorit”.

Kryetari i kësaj partie dhe njëherit edhe deputeti Goran Misovski, në një deklaratë për media ka bërë të ditur se do të veprojnë si opozitarë. Përveç tij, deputete në përbërjen e re parlamentare është zgjedhur edhe Sonja Mirakovska. Reagimi pasoi pasi në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave u njoftua se deputetët e partisë që ishte pjesë e “Koalicionit për Ardhmërinë Evropiane” do t’i bashkohen shumicës parlamentare të VMRO-DPMNE-së, e cila tani ka 58 deputetë. Akuza të tilla i ka mohuar edhe kryetarja e LDP-së, deputetja Monika Zajkova.