Dy ditë zie në Tetovë për shkak të tërmetit në Shqipëri

Komuna e Tetovës ka vendosur të shpall dy ditë zie, si dhe të ndajë mjete për ndihmë humanitare me rastin e tërmetit katastrofik në Shqipëri. Vendimet u morën në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës.

Marketing

“Dita e mërkurë, 27 nëntor dhe dita e enjte, 28 nëntor janë shpallur ditë zie në Komunën e Tetovës në shenjë të solidaritetit me viktimat nga tërmeti në Shqipëri. Kemi vendosur edhe të ndahen një milion e 500 mijë denarë ndihmë humanitare. Mjetet do të dërgohen për qytetin e Durrësit dhe lagjen Thumanë për ballafaqim me pasojat nga tërmeti. Financat janë siguruar nga fondi rezervë i Komunës”, informoi kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Komuna e Tetovës organizon edhe pikë grumbullimi për donacion të ndihmës, e cila u nevojitet të pësuarve në rajonet më të goditura nga tërmeti. Ndihma mund të lihet në Njësinë zjarrfikëse në Tetovë në rrugën “Industriale”.

“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, grumbullimi i parë i donacioneve do të fillojë më 27 nëntor të vitit 2019 (e mërkurë) deri në ora 12 dhe të njëjtat menjëherë do të dërgohen në Shqipëri. Me grumbullimin e donacioneve do të vazhdohet edhe në turnin e dytë dhe do të zgjat deri ora 18”, informojnë nga Komuna.

U formua edhe shtab i krizës për transport të ndihmës së grumbulluar dhe të dedikuar për rajonet e goditura. .

Marketing