Mediat greke raportojnë se mënyra se si u vra shtetasi shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Orhan Bajrami – Oki, tregon se bëhet fjalë për një vrasje të porositur. Megjithatë, mbetet që këtë ta vërtetojë hetimi. Sipas portalit grek “In.gr”, vrasja është incizuar nga kamerat e sigurisë dhe se policia i posedon të njëjtat pamje. Mediat greke kanë publikuar pamje nga vila ku pretendojnë se ndodhej i vrari, shoku i tij i plagosur, 45-vjeçari Sead Slezoviç dhe dy gra.
Sipas ERT, kamerat e sigurisë kanë regjistruar një makinë pasagjerësh me targa të huaja para dhe pas sulmit vrasës, pranë vilës ku ndodhej i vrari Oki.
Edhe pse fillimisht kishte informacione se dy autorët lëviznin me motor.
Sipas burimeve policore, automjeti i përdorur nga autorët e vrasjes nuk ka kaluar kufijtë shtetërorë.
“Mjeti nuk ka kaluar në asnjë pikë kufitare, ndaj po kryhen kërkime të gjera për lokalizimin e tij në Greqi”, thonë për mediat greke të njëjtat burime policore.
Megjithatë, autorët mund të kenë lënë vetëm mjetin, ndërsa kanë kaluar kufirin jashtë Greqisë duke përdorur mjete të tjera.
Sipas informacioneve të fundit, pasi kanë dalë nga makina, dy autorët kanë kërcyer murin, kanë qëndruar para xhamit të madh dhe kanë qëlluar nga jashtë me një pistoletë të kalibrit 32 mm në drejtim të personave në shtëpi. Ata qëlluan 19 herë.
Sipas mediave greke, dy gratë ishin dëshmitare okulare të vrasjes. Kanë qenë ata që kanë nisur thirrjen për ndihmë dhe kanë telefonuar në numrin 112 dhe më pas së bashku me personin e tretë kanë dërguar dy personat në Qendrën Shëndetësore të Kasandrës. Kur kanë arritur efektivët e parë të policisë, viktimat veç më ishin dërguar në Qendrën Shëndetësore.