Të guximshme, me humor, por para së gjithash humane. Gra të cilat sfidojnë paragjykimet dhe të cilat dëshmojnë se nuk ka ndarje në profesione për meshkuj dhe femra. Këto janë dy gratë zjarrfikëse Biljana Dençovska dhe Menka Stojanovska, të cilat në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre nga Brigada Zjarrfikëse e Shkupit përballen me sfidat e përditshme që i sjell ky profesion.
Biljana tashmë ka 15 vite përvojë pune si zjarrfikëse dhe që si fëmijë e ka dashur uniformën, ndërsa Menka, nga ana tjetër, është në mesin e zjarrfikësve të sapopranuar, e cila pa kurrfarë paragjykimesh është paraqitur në konkursin për punësim dhe i ka kaluar me sukses të gjitha testimet.
Gjatë bisedës për MEDIAL-n të dyja shprehen se e kanë gjetur veten në këtë profesion, i cili para së gjithash është human dhe fisnik. Dëshira për të ndihmuar është ajo që i ka nxitur të merren me punën e zjarrfikësit.
Tregojnë se në mesin e popullit ende ekzistojnë stereotipa dhe dyshime se këtë profesion nuk mund ta ushtrojnë gra, por shtojnë se më e rëndësishme është që njeriu të mos ketë paragjykime në vetvete meqë këtë e ndjen edhe mjedisi.
“Është mirë kur në një vend do të ketë më shumë diversitete. Ne si gra i shikojmë më ndryshe disa gjëra dhe mendoj se sukses më i madh arrihet nëse janë të përzier burra e gra në një lloj të punës. Është shumë interesant komunikimi mashkull-femër dhe krijohet një energji më ndryshe, sesa në një vend të jenë vetëm burra ose vetëm gra”, shprehet Menka.
Me kolegët kanë raport korrekt dhe te ata nuk kanë vërejtur kurrfarë dyshimesh. Fillimisht, Biljana e ka pasur më vështirë, e cila si grua e parë zjarrfikëse është dashur ta trasojë rrugën dhe të dëshmojë se është e barabartë dhe mund t’i ushtrojë detyrat e punës. Shprehen se 90 për qind e kolegëve janë më të fuqishëm sesa ata, porse ato si gra janë më emotive dhe të qëndrueshme dhe energjinë dhe fuqinë më të madhe e nxjerrin nga emocionet.
“Njëri prej intervenimeve të para ishte zjarri në një barakë në Draçevë. Njerëzit nuk ishin në shtëpi. Nuk kisha frikë, por, qava. Më mposhtën emocionet dhe mendoja ku do të qëndrojnë tani njerëzit, çfarë do të bëjnë….., rrëfen Biljana, duke shtuar se ato skena të tmerrshme mbeten të shënuara në kujtesë një kohë të gjatë.
Shton se në situata të caktuara krahas asaj që duhet ta ushtrojnë punën profesionalisht, ata edhe bisedojnë me njerëzit me qëllim që t’i ngushëllojnë.
“Ndonjëherë duhet të jemi edhe psikologë. Ulemi dhe bisedojmë me njerëzit. Madje krijohen edhe miqësi. Në fakt, përfitimi më i madh është kur e sheh se je e dobishme dhe kjo na jep energji plotësuese”, thekson Biljana.
Kësaj i ndërlidhet Menka, duke thënë se me zjarrin nuk shkatërrohen vetëm gjërat materiale, por njerëzit i humbin edhe kujtimet.
Veçanërisht të vështira janë skenat gjatë intervenimeve teknike në aksidente trafiku ose shpëtim të atyre që mbyten kur në garën për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër, ndonjëherë e vë në rrezik edhe jetën personale.
“Ne e rrezikojmë jetën tonë për të shpëtuar jetën ose pasurinë materiale të dikujt tjetër. Është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë se duhet të na lënë më shumë hapësirë për ta përfunduar punën dhe të jenë të vetëdijshëm se është dhënë maksimumi. Në të shumtën e rasteve njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se pengojnë gjatë intervenimit. Mblidhen, ushtrojnë presion, regjistrojnë me telefon, komentojnë. Shumica e intervenimeve kanë përfunduar me sukses meqë kemi zemër të guximshme”, shprehet Menka.
Që të dyja janë dakord se nëse gjërat bëhen me dashuri, mund të arrihet gjithçka, ndaj kështu kur i pyetëm se si arrijnë t’i harmonizojnë obligimet profesionale me ato të shtëpisë, shprehen – “Asgjë nuk është e vështirë, ku diçka bëhet me dashuri”.