Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e ndarë në dy grupe sa i përket heqjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina.
Kjo parti duket të jetë e ndarë në “dysh”, raporton Gazeta Blic.
Derisa lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti po kërkojnë me ngulm heqjen e taksës, krejt ndryshe sot foli i dyti i kësaj partie- Lutfi Haziri.
Nënkryetari i LDK-së në një intervistë sonte ka theksuar se nuk do të ketë ultimatume nga partia e tij.
Haziri ka thënë se LDK nuk ka ultimatume ndaj Vetëvendosjes sa i përket taksës dhe reciprocitetit.
“Është bërë një hap i madh drejt largimit të taksës… Besoj se koha do ta dëshmojë se taksa nuk ka qenë e rëndësishme për t’i dhënë këtë vëmendje”, tha ai.
Ai madje nuk e ka e ka përjashtuar as vendosjen e masës së reciprocitetit- masë të cilën pos zyrtarëve tjerë të LDK-së po e kundërshtojnë fuqishëm edhe nga administrata Trump.
Mirëpo, Abdullah Hoti, i cili është zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, ka kërcënuar Vetëvendosjen edhe me largim nga Qeveria, raporton Gazeta Blic.
Hoti, ka kundërshtuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind për lëndën e parë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
“Ky nuk ishte vendim. Vendimet e qeverisë nuk merren në konferenca shtypi. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim për të cilin nuk dakordohen partnerët qeverisës”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoti.
Hoti ka kërcënuar kryeministrin Kurti, se do të dalin nga koalicioni nëse nuk hiqet tarifa ashtu sic kanë kërkuar zyrtarët e SHBA-së.
Në vijë me Abdullah Hotin është edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai ka kërkuar nga Kurti që të hiqet taksa.
Në vazhdim e gjeni të plotë reagimin e Isa Mustafës:
Të nderuar qytetarë
Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike.
Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.
Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.
Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.
Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.
Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM