Dy ligje që “mbrojnë” politikën!

Për statusin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), deputetët do të diskutojnë pas pushimeve. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, propozim-ligjin e ri të Qeverisë për Prokurorinë e ka vendosur në rend dite për më 27 gusht, për ti dhënë hapësirë dialogut politik, i cili për momentin është i bllokuar nga kalkulimet politike. VMRO-DPMNE refuzon të bisedojë për propozimin-ligjin e Qeverisë, ndërsa propozim-ligjin e saj për Prokurorinë ende nuk e ka dorëzuar në Parlament, shkruan gazeta KOHA. Ndërkaq, LSDM nuk dëshiron të diskutojë për Ligjin, siç thonë, që nuk është dorëzuar ende në procedurë parlamentare. Partia e Hristijan Mickovskit edhe më tej mbetet në qëndrimin se takim liderësh nuk vjen parasysh të mbahet pa qenë si pikë e rendit të ditës mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa thonë se çdo tentim që të miratohet ligji me çdo kusht, do të pësojë disfatë, për arsye se është Ligj për të cilin varen edhe eurointegrimet e vendit.

Marketing

Sipas propozim-ligjit të VMRO-DPMNE-së, lëndët e PSP-së për të cilat është ngritur aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017 dhe ata që janë në fazë të procesit gjyqësor, duhet të kalojnë në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike dhe ajo të vendos se kujt do ti delegojë autorizimin për ti gjykuar ato. Për këtë ide, Ministria e Drejtësisë është deklaruar e gatshme për të biseduar, edhe pse ka dyshime se është propozim që ka për qëllim zvarritjen e lëndëve.

Nga ana tjetër, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka dorëzuar në Parlament një draft-ligj për PSP-në, pa mbështetjen e opozitës dhe në vend të Speciales – ka propozuar një Prokurori të re kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, ndërsa në vend të Katica Janevës, për drejtuese të kësaj prokurorie ka propozuar Vilma Ruskoskën, të cilën opozita e quan “dorë e zgjatur” e kryeministrit Zaev. Propozimin e Zaevit e shqyrtojnë edhe partitë tjera. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kryeprokurori duhet të jetë njeri i deleguar nga BE-ja dhe që të gjithë prokurorët e përfshirë në krim të largohen nga organi ndjekës. Ndërsa për BDI-në, propozim-ligji i për prokurorinë, i propozuar nga Zaevi është bazë e mirë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kryeministri Zaev ditë më parë tha se shpreson që propozim-ligji, i cili sipas tij, përfshin edhe kërkesat e opozitës – do të mbështetet me 2/3 e votave të deputetëve.

Debati për reformat në drejtësi po vazhdon tani një kohë të gjatë dhe partitë nuk po merren vesh kryesisht për Prokurorinë Speciale, paditë penale që ka ngritur ndaj ish-zyrtarëve, e që kanë për bazë aferën e përgjimeve. Përplasjet mes partive kulmuan pas dyshimeve për përfshirjen e ish-kryeprokurores Katica Janeva në një aferë korruptuese me një afarist që po gjykohej për vepër të rëndë penale. Janeva ka mohuar përfshirjen në këtë aferë duke theksuar se gjithë kjo bëhet nga njerëz që po tentojnë t’i ikin drejtësisë nga paditë e reja që pritet të ngrejë PSP-ja. Avokati Ardian Demiri në një prononcim për gazetën KOHA, duke komentuar këto dy propozim-ligje, thotë se në këtë pikë edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE kanë një emërues të përbashkët: mbrojtjen e krimit.

“Në këtë pikë mendoj që dy partitë kryesore maqedonase – VMRO dhe LSDM në lidhje me këtë propozim-ligj janë të një mendimi, e që më shtynë të dyshojë në sinqeritetin e tyre në vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Propozim-ligji i ri për Prokurorinë e përgjithshme të cilin e propozon Ministria e Drejtësisë, PSP-në e tanishme dhe prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i bashkon në një departament në kuadër të Prokurorisë Shtetërore të quajtur – Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta. Në lidhje me konceptin e Prokurorisë që e propozon tani Qeveria, janë disa momente të cilat janë të diskutueshme, edhe atë duke u nisur fillimisht nga mosrespektimi i parimit të përcaktuar kushtetues i ‘hierarkisë dhe subordinaritetit’, mbi të cilin vepron Prokuroria Shtetërore si institucion, sepse në disa raste – sipas këtij propozimi, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta ka ‘autonomi në vendimmarrje’ mbi prokurorinë e përgjithshme shtetërore”, deklaroi Demiri.

Moment tjetër, shprehet ai, pak sa i çuditshëm – është pamundësia e Parlamentit dhe Qeverisë të intervenojnë dhe të ndryshojë Buxhetin e përpiluar nga kjo Prokurori (që është absurde) gjatë miratimit, dhe nëse kjo mbetet kështu, kjo Prokurori si institucion vendoset edhe mbi organin ligjvënës që është Parlamenti. “Kjo sigurisht që nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ka disa postulate që janë diskutabile e që kërkojnë hapësirë për tu elaboruar. Ajo që më bënë përshtypje në këtë propozim-ligj është fakti që në dispozitat kalimtare të tij, thuhet që me hyrjen në fuqi, të gjitha kompetencat e PSP-së kalojnë në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta. Kur e lexon kështu, të krijohet përshtypja që kjo Prokurori do vazhdoj me punën e PSP-së në lidhje me krimin dhe korrupsionin e zbuluar nga bisedat e përgjuara, që është në rregull. Mirëpo, kjo fare nuk është ashtu, sepse ky propozim-ligj në tërësi si dhe kjo dispozitë në veçanti kështu e dhënë fare nuk e trajton dhe nuk e zgjidh problemin serioz në sistemin e drejtësisë që e instaloi mendimi parimor i Gjykatës Supreme te Maqedonisë me datë 30 janar 2019 si instance më e lartë gjyqësore me të cilin mendim u përcaktua që PSP-ja nuk mund të ngrejë aktakuza të reja ose të urdhërojë ndërprerje të procedurës hetimore nga korriku i vitit 2017 e këndej”, theksoi Ardian Demiri, ekspert juridik.

Sipas tij, PSP-ja e cila tash kalon në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta, edhe më tej është jo kompetente të ngre aktakuza të reja për të gjitha veprat penale të pa proceduara nga PSP-ja deri më sot. (koha.mk)