DY RETHROTULLIME TË REJA, NËNKALIME DHE MBIKALIME – ZGJIDHJA NË “MOMIN POTOK”
Sot, Kryetari Petre Shilegov paralajmëroi edhe një projekt të madh për banorët e Shkupit – ndërtimin e kryqëzimit në Momin Potok, i cili është një nga dy rrugët kryesore që lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit.
– Bëhet fjalë për projekt të madh në vlerë totale prej rreth 18 milion euro, për të cilin dje e kemi filluar procedurën, punimet ndërtimore do t’i fillojmë gjatë muajit qershor, kurse realizimi duhet të zgjatë 2 deri 2,5 vjet. Sipas kompleksitetit të tij, bëhet fjalë për një nga projektet më të komplikuara në trafik që Qyteti i Shkupit e ka përgatitur që nga viti 1965 e këtej. Kryqëzimi në hotelin “Kontinental” është më pak i komplikuar. Me qëllim që të zvogëlohet kaosi në trafik në këtë pjesë, është parashikuar ndërtimi i 2 rrethrrotullimeve, i pari duhet të zëvendësojë kryqëzimin në bulevardin 8.Shtatori dhe rrugën Skupi dhe i dyti i cili duhet të zëvendësojë kryqëzimin në bulevardin Nikolla Karev dhe rrugën për në Vizbeg, unazën dhe kufirin e Kosovës. Nga rrethrrotullimi i dytë, rruga vazhdon deri në kryqëzimin me bulevardin Sllovenia, ku lidhet me bulevardin Sllovenia dhe bulevardin Bosnja dhe Hercegovina. Kjo rrugë është një nga rrugët kryesore të qytetit sepse gjatë ditës këtu kalojnë 25,000 automjete dhe kaosi është i madh – tha Shilegov, në konferencën e sotme për shtyp. Gjatësia totale e rrugës mes dy rrethrrotullimeve dhe deri para kryqëzimit me bulevardin Sllovenia është rreth 1,600 metra. Përgjatë gjithë rrugës do të instalohet LED ndriçim i bulevardit, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta në të dy anët e rrugës. Projekti parashikon ndërtimin e 2 urave në lumin Serava i cili rrjedh nën këtë rrugë.
– Dua të theksoj se në pjesën e infrastrukturës së trafikut në pjesën veriore të qytetit e kemi përfunduar bulevardin Hristijan Todorovski Karposh, kurse në përfundim janë edhe bulevardet Nikolla Karev dhe Bosnjë dhe Hercegovina. Kjo është në përputhje të plotë me vizionin që kam për qytetin tonë – një qytet i zhvilluar në mënyrë të barabartë me infrastrukturë të përshtatur për të gjithë qytetarët, pavarësisht se cilës pjesë të qytetit i përkasin. Qyteti me këtë lloj vizioni është vonuar për disa dekada, por me projekte të këtilla po përpiqemi që vetëm në një mandat punët fundamentale të qytetit t’i fillojmë deri në pikën nga e cila nuk ka kthim. Trafiku i sigurt dhe lëvizshmëria urbane mbeten në rendin e prioriteteve të mia dhe kësaj administrate të qytetit, kurse qytetarët kanë pasur mundësi këtë ta shohin në 3,5 vitet e fundit dhe e dinë mirë se si të njohin aktivitete të tilla të qytetit – tha Shilegov.
Në konferencën e sotme për shtyp morën pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva dhe kryetarët e komunave të Karposhit, Çairit, Qendrës dhe Butelit – Stefan Bogoev, Visar Ganiu, Sasha Bogdanoviç dhe Velimir Smilevski.