Për një kohë të gjatë në spitalin Infektiv kanë munguar pacientët e intubuar. Mirëpo, me rritjen e numrit të pacientëve të shtruar në këtë spital, burime bëjnë të ditur se dy pacientë ndodhen në gjendje të rëndë, të intubuar.
Pacientet e shtruar në Infektiv i përkasin të gjithë grupmoshave. Më të shumtë janë ata mbi 50 vjeç, por ka edhe pacientë rreth të 30-ve. Burime brenda këtij spitali thonë për ABC çdo 24 orë shtrohen mesatarisht 3-4 të prekur nga Covid që kanë nevojë për trajtim të specializuar.
Mjekët thonë se pjesa më e madhe e tyre paraqesin simptoma të ngjashme me ato të variantit Delta. Në reanimacion ka edhe pacientë qe po trajtohen me 3 burime oksigjeni. Ne tre ditët e para të kësaj jave një pacient në Infektiv ka humbur jetën.
Po në të njëjtën periudhë, 573 persona u konfirmuan të prekur nga virusi. Përhapja e variantit Delta po rrit ndjeshëm numrin e të infektuarve.
Ne këto kushte, autoritet po i paraprijnë shtimit të kapaciteteve spitalore për këta të sëmurë. Është dhën urdhër që tek ish-kirurgjia të mos pranohen më shtrime pasi me rritjen e rasteve të pacientëve në spitale, po pritet rikthimi i tij në spital Covid.
Autoritetet shëndetësore apelojnë për vaksinimin e plotë kundër Covid, si e vetmja alternativë për t’u mbrojtur format e renda te sëmundjes apo humbja e jetës. Sipas udhëzimeve që kanë marrë qendrat shëndetësore nga ministria e Shëndetësisë, qytetarët tashme mund të zgjedhin edhe vaksinën Pfizer, pa rekomandim nga mjeku i familjes.