Dy vendet e vetme në botë që nuk kanë filluar ende vaksinimet kundër Covid-19

Deri më sot, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), janë vetëm dy vende në botë që nuk kanë filluar ende një fushatë vaksinimi kundër koronavirusit: Koreja e Veriut dhe Eritrea.

Marketing

Autoritetet e Koresë së Veriut vazhdojnë të deklarojnë se pandemia e koronavirusit nuk mbërriti asnjëherë në vend dhe masat e rrepta të vendosura që nga zbulimi i rasteve të para në Kinë, duket se janë ende mjeti i vetëm i përdorur për të luftuar qarkullimin e virusit.

Në Eritrea, ashtu si në shumicën e vendeve të kontinentit afrikan është duke u zhvilluar vala e katërt e epidemisë, por autoritetet e vendit, duket se nuk duan të bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare.

Në muajin shtator, regjimi koreano-verior i diktatorit Kim Jong-un nuk pranoi të merrte gati 3 milionë doza të vaksinës së zhvilluar nga kompania kineze e bioteknologjisë Sinovac që i ishte ofruar nga Unicef si pjesë e programit COVAX, i cili synon të sigurojë vaksinat kundër koronavirusit për vendet e varfëra.

Koreja e Veriut ka deklaruar se janë vendet e tjera që kanë nevojë për to. Madje edhe në muajin korrik ky vend refuzoi rreth 2 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, me argumentin se vaksina ka shfaqur efekte anësore, por më vonë iu ofruan edhe doza të vaksinës Sputnik V të prodhuar nga Rusia, por që nuk dihet nëse kjo sasi vaksinash është pranuar.

Në muajit e fundit, programi COVAX ka ruajtur rreth 4.73 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuara nga AstraZeneca për Korenë e Veriut, e cila vazhdon t’i refuzojë.

Vendi tjetër që sipas OBSH-së nuk ka filluar ende të vaksinojë popullsinë e tij kundër koronavirusit është Eritrea, një vend Afrikan.

Siç është theksuar në disa raste nga Qendra e Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që koordinon vendet afrikane në luftën kundër sëmundjeve dhe epidemive, Eritrea, është i vetmi vend në kontinent që nuk ka pranuar të japë të dhëna për organizatën dhe i vetmi vend që nuk ka filluar ende fushatën e vaksinimit.

Dy vendet e fundit afrikane që pranuan ndihmën e organizatave ndërkombëtare, duke autorizuar administrimin e vaksinave në fund të korrikut ishin Tanzania dhe Burundi. Eritrea ende nuk ka nisur një fushatë vaksinimi, pavarësisht se në vend ka filluar një valë e katërt e epidemisë.