Shkupi nesër shënon dy vjet nga moti i ligë që shkaktoi përmbytje, në të cilat e humbën jetën 22 persona. Pasdite më 6 gusht të vitit 2016, rajoni i Shkupit është goditur prej reshjeve përmbytëse të shiut dhe erës së fuqishme.
Të vdekurit në motin e ligë ishin në rajonet e fshatit Hasanbeg, Stajkovc, Smillkovc dhe Haraçinë. Gjatë 24 orëve më 6 gushtin e kaluar në Shkup kanë reshur 92,9 litra në metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të ligë ka pasur mbi 800 bubullima.
Moti i ligë dhe vërshimet e ujit kanë shkaktuar rrëzim të drunjve, ndërsa shtëpitë kanë mbetur pa energji elektrike. Rreth një mijë qytetarë janë evakuuar gjatë natës së 6 gushtit.
Qytetarët nga mbarë vendi të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i krizës dhe institucionet kompetente në ditët në vijim janë solidarizuar për grumbullim të ndihmës më të domosdoshme për të pësuarit. Tetë gushti i vitit 2016 është shpallur Ditë zie në Republikën e Maqedonisë.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike në raportet për motin e ligë informoi se në Zajçev Rid – stacionin kryesor meteorologjik në Shkup, është shënuar intensitet rekord për reshje pesëorëshe prej 84,5 milimetra.
“Fenomen i llojit të posaçëm meteorologjik që ka zgjatur disa orë me regjenerim të vazhdueshëm dhe formim të vatrave të stuhishme, edhe pse sipas shtegut të lëvizjes, parashikimi ka treguar se duhet të kalojë në afat të shkurtër. Intensiteti rekord i motit të ligë që e ka kapluar luginën e Shkupit është me mundësi të paraqitjes prej 0,1 për qind ose një herë në njëmijë vite”. Kështu DPHM e sqaroi parashikimin e motit që e goditi luginën e Shkupit.