Dyqangjiku pa rrymë elektrike, EVN: Defekti, nga shfrytëzimi i paligjshëm i energjisë

Banorët e një pjesë të Serovës dhe të Dyqangjikut të Shkupit për disa orë bllokuan bulevardin “Nikolla Karev”, i njohur si Rruga e Plastikave, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ata thonë se me ndërprerjen e vazhdueshme të rrymës përballen tashmë disa javë, edhe pse faturat i paguajnë në kohë.

Marketing

Ata kërkojnë që EVN të zgjidh problemin në rrjetin energjetik dhe të gjejë mënyrë adekuate për të shkyçur nga rrjeti ata të cilët nuk paguajnë faturat.

“Ky problem nuk është një ditë ose dy. Kjo po ndodh për çdo ditë, kohëve të fundit. Kemi njerëz të sëmurë, pleq dhe fëmijë”- tha një qytetar.

“Unë nuk e di se ku qëndron problemi, a është kjo për shkak të faturave të papaguara ose defektet, mirëpo nuk mund të vendosën me një thes të gjithë shqiptarët, të gjithë njerëzit që paguajnë ose jo faturat”,- theksoi një qytetar.

“Nuk ka lidhje me faturat, janë të paguara nga ne që jemi këtu, por edhe të ketë fatura të papaguara për një njeri, ne nuk mund të gjithë të pësojmë, sepse janë rreth 500 ose 600 shtëpi”,- u shpreh një qytetar.

“Nga 20 mijë denarë paguajmë faturat për çdo muaj dimri dhe sërish nuk kemi rrymë, kjo është tmerr”,- potencoi një qytetar.

Edhe objektet afariste përgjatë Rrugës së Plastikave mbetën pa energji elektrike gjatë ditës së mërkurë.

Nga EVN thonë se në këto vende shpesh paraqiten defekte në rrjetin e energjisë elektrike të shkaktuar nga shfrytëzimi i paligjshëm i rrymës dhe shpresojnë se i njëjti do të sanohet sa më parë.

“Mbingarkesa e rrjetit si pasojë e shfrytëzimit të pakontrolluar dhe ilegal të energjisë elektrike, nga ana e një pjesë të banorëve të lagjeve Seravë, Gazi Babë dhe Dizhon, shkakton ndërprerje në furnizimin me energji elektrike. Nga këto ndërprerje më shpesh digjen siguresat në trafostacionet dhe përçuesit.

Ekipet e Elektrodistribucionit janë në terren gjatë gjithë kohës dhe intervenojnë çdo 1-2 orë, ndërsa vetëm gjatë kohës së fundjavës u zëvendësuan qindra siguresa të djegura në zonat kritike”,- thonë nga EVN.

Banorët thonë se do të vazhdojnë me bllokimin e rrugëve deri në zgjidhjen përfundimtare me furnizimin e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre.