E ardhmja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme pas Covid-19

Krijuesit e politikave të rajonit mund të përfitojnë nga masat në rritje të mbështetjes publike për ta nxitur sektorin e NVM-ve që ta orientojnë kalimin e tyre drejt një ekonomie me ekologjike dhe më pak të varur nga energjia fosile. Mundësia për grante, subvencione dhe kredi të buta mund të lidhet me rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit dhe futjen e modeleve të biznesit të gjelbër.

Marketing

Shkruan: Abil BAUSH, Shkup

Kur flasim me menaxherët e biznesit të vogël dhe të mesëm në lidhje me krizën me pandeminë COVID-19, ato kryesisht përgjigjen me disa fjale si: të paparë, të papritur, të papërgatitur dhe të pasigurt. Por, një gjë është e sigurt – se bizneset mikro dhe të vogla janë ndër më të goditurat nga kriza ekonomike që e shkaktoi pandemia e koronavirusit. Megjithatë, ata kanë një rol të rëndësishëm në këtë krizë, sepse ato punësojnë më shumë se 70 për qind të forcës së punës në rang botëror dhe ato janë thelbësore për mbajtjen e një zinxhiri të furnizimit të ushqimit të qëndrueshëm, duke siguruar materiale pastrimi, si: sapun, pajisje sanitare dhe dezinfektues, si dhe pajisje mbrojtëse personale ose pajisje mjekësore.

NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) në Ballkanin Perëndimor përbëjnë 99 për qind të të gjitha firmave dhe ato gjenerojnë rreth 65% të vlerës së shtuar të sektorit të biznesit të përgjithshëm dhe përbëjnë 73% të punësimit të përgjithshëm të sektorit të biznesit. Duke pasur parasysh kontributet e tyre thelbësore në ekonomi, dhënia e mbështetjes për sektorin privat do të jetë shumë e rëndësishme për ta trajtuar ndikimin e rëndë të pandemisë COVID-19.

Sfidat më të zakonshme për bizneset e vogla kanë të bëjnë me aksesin ndaj klientëve dhe tregjeve, shqetësimet për furnizim me lëndën e parë dhe uljen e prodhimit dhe kërkesës. Mbylljet e kufijve, në shumë raste, i kanë çrregulluar furnizimet, duke ndikuar në të hyrat dhe shpenzimet, por edhe në të furnizimet e punës. Disa nga ata që operonin në tregun lokal / vendor, si tregu i tyre kryesor, u vërtetua se janë më pak të prekur. Sfidat kryesore me të cilat u përballen NVM-të gjatë kësaj pandemie ishin nga më të ndryshme, por ne – këtu më postë – do t’i përmendim disa.

Humbja e papritur e kërkesës në treg dhe e të ardhurave të shkaktuara nga masat e izolimit të aplikuara nga qeveritë ka shkaktuar probleme të rënda të likuiditetit. Kjo ka bërë që ata të luftojnë për mbijetesën e tyre, pasi ato kanë burime të kufizuara financiare, veçanërisht në krahasim me ndërmarrjet më të mëdha, të cilat mund t’i kenë rezistuar një krize të gjatë.

NVM-të varen nga komponentët e importuar dhe lëndët e para për të prodhuar produkte finale dhe pikërisht ata kanë hasur në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit. Si NVM-të në Ballkanin Perëndimor, ato tradicionalisht mbështeten në një numër të kufizuar të furnizuesve në BE dhe pikërisht ato u rrezikuan nga ndërprerjet e furnizimeve.

NVM-të, në të gjithë rajonin, kanë pësuar mungesa dhe shkurtime të forcës punëtore, pasi ato nuk kanë kapacitet për t’u zhvendosur proceset e punës dhe punës digjitale në kontekstin e kufizimeve të lëvizjes.

Shkaku kryesor i këtyre sfidave është mosgatishmëria e shumë prej ndërmarrjeve për t’u përballur me këtë lloj situate. Megjithëse administrimi i rrezikut është një përbërës thelbësor i sistemit të menaxhimit të çdo organizate, kjo krizë ka zbuluar se disa ndërmarrje e kanë nënvlerësuar rëndësinë e saj dhe të tjerëve, veçanërisht bizneset e vogla, dhe mund të mos kenë njohuri për mënyrën e zbatimit të një sistemi të menaxhimit të rrezikut. Sistemet e menaxhimit të këtyre bizneseve të vogla nuk janë mjaft elastike për t’i lejuar ato të lundrojnë përmes kësaj pandemie me masa të përshtatshme zbutëse dhe gatishmëri për t’i shfrytëzuar mundësitë, pavarësisht mjeteve të shumta të zhvilluara për atë qëllim.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor deri më tani reaguan me masat e miratuara që janë kryesisht në përputhje me ato të marra në të gjithë shtetet e OECD-së për t’i zbutur goditjet dhe problemet me të cilat përballen NVM-të dhe kjo kryesisht ka përfshirë disa instrumente financiare dhe opsione të shtyrjes së borxheve. Instrumentet financiarë janë bazuar kryesisht në dhënien ose garancinë për kredi dhe kanë qenë të prezantuar si linja kredie për kapitalin operativ të dedikuar për luftën ndaj pandemisë. Këto do të duhet t’i lehtësojnë të hyrat e NVM-ve në financa, duke i lejuar ato t’i mbulojnë kostot operacionale, siç janë pagat e personelit dhe qiratë. Një numër ekonomish në rajon shkuan një hap më tej, duke i subvencionuar pagesat e qirave dhe pagat e punonjësve. Opsionet e shtyrjes janë bazuar kryesisht në politikat fiskale te qeveritë, duke përfshirë masa për shtyrjen e pagesave të ndryshme, të tilla si taksat mbi të ardhurat, TVSH-në, sigurimet shoqërore ose shërbimet që i lehtësojnë kufizimet e likuiditetit të NVM-ve.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, deri tani, i kanë detektuar problemet direkte me të cilat përballen NVM-të, duke u përqendruar kryesisht në problemet që i kanë pasur me likuiditetin. Këto masa janë thelbësore për të parandaluar që bizneset të falimentojnë dhe ta shmangin depresionin ekonomik afatgjatë dhe recesionin pas krizës COVID-19. Sidoqoftë, masa të tjera të politikës strukturore gjithashtu do të duheshin për ta përforcuar më tej aftësinë e NVM-ve. Por, do duhet të merren edhe disa masa paraprake për të siguruar një politike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për NVM-të ndaj periudhës kohore pas pandemisë.

Një ndër masat emergjente që u tregua si domosdoshmëri gjatë kësaj periudhe është rritja e shfrytëzimit të teknologjisë digjitale të NVM-ve. Qeveritë do të duhet ta inkurajojnë dhe intensifikojnë mbështetjen e digjitalizimit të NVM-ve, gjë që do të promovonte adoptimin e praktikave të telekomunikacionit dhe teknologjive të TIK-ut. Këto do t’u ndihmojnë NVM-ve që t’i administrojnë opsionet, si p.sh punë në distancë (të bëjnë punë nga shtëpia), opsionet e pagesave në formë digjitale dhe të jenë të sigurta në biznesin e tyre nga keqpërdorimet që janë në rritje në internet.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do duhet të përfshihen në agjendën e gjelbër dhe në nisma të reja mbështetëse. Krijuesit e politikave të rajonit mund të përfitojnë nga masat në rritje të mbështetjes publike për ta nxitur sektorin e NVM-ve që ta orientojnë kalimin e tyre drejt një ekonomie me ekologjike dhe më pak të varur nga energjia fosile. Mundësia për grante, subvencione dhe kredi të buta mund të lidhet me rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit dhe futjen e modeleve të biznesit të gjelbër.

Në këtë krizë globale u paraqitën sipërmarrës me inovacione dhe kjo ka bërë që mbështetja dhe përdorimi i inovacioneve kreative në luftën kundër COVID-19 të bëjë që të vazhdohet të investohet në këto biznese. Paraqitja e rritjeve të inovacionit në Ballkanit Perëndimor mund të jetë një burim esencial për kurimin nga kriza COVID-19, duke siguruar zgjidhje në fusha të ndryshme. Kështu, programet e reja mund të përmblidhen duke stimuluar fillimin e ndërmarrjeve për të zhvilluar produkte ose shërbime inovative të destinuara për t’i kapërcyer efektet ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore të pandemisë.

Qeveritë do të duhet t’i inkurajojnë ndërmarrjen e vogla dhe të mesme për tregtinë elektronike. Qeveritë do të duhet ta analizojnë arsyen se pse përqindja e NVM-ve që shesin online është tashmë nën 10% në të gjithë rajonin. Prandaj qeveritë do të duhet ta rrisin mbështetjen e tyre për t’i ndihmuar NVM-të që të jenë më të pranishme në internet, duke përdorur e-commerce ose marketing digjital. Kjo do ta lehtësonte hyrjen e tyre në tregjet e reja dhe në rritjen e konsumatorëve.

Në këtë krizë u kuptua se NVM-të nuk posedojnë standarde përkatëse për konkurrim me tregjet e tjera. Standardet janë një tërësi mjetesh të fuqishme biznesi për bizneset e vogla. Ato frymëzojnë besim, i ulin kostot, e rrisin produktivitetin, ndërtojnë qëndrueshmëri, i ulin rreziqet dhe i përmirësojnë fitimet. Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO) ka zhvilluar një numër standardesh ndërkombëtare që mund të jenë shumë të dobishme për bizneset e vogla, për ta kufizuar kështu ndikimin e çdo krize dhe të jenë më të përgatitur për t’u rikthyer pas kësaj. Standardet përkatëse ISO bien në dy kategori: e para ka të bëjë me sigurinë, rezistencën dhe menaxhimin e rrezikut, e cila përfshin menaxhimin e vazhdimësisë së biznesit, menaxhimin e urgjencës, menaxhimin e krizave dhe sigurinë e zinxhirit të furnizimit. Këto mjete i përgatisin ndërmarrjet për t’u përballur me një krizë. Kategoria e dytë i ndihmon ndërmarrjet t’i plotësojnë kërkesat e reja të tregut. Këto i përfshijnë standardet e sistemit të menaxhimit për cilësinë, sigurinë e ushqimit, shëndetin dhe sigurinë në punë, përgjegjësinë sociale, si dhe standardet specifike të produktit.

Një spektër tjetër i çështjes janë masat që do të ndërmerren për lehtësime administrative gjatë funksionimit të NVM-ve me të cilat do të ballafaqohen bizneset. Pavarësisht nga të gjitha masat e politikës për ta zbutur ndikimin në krizë, ende mund të pritet një kërcim në procedurat e falimentimit. Kjo pa dyshim që do të bëjë presion të madh në gjykatat administrative, duke shkaktuar vonesa të mëtejshme në zgjidhjen e falimentimit. Përpjekjet e mëtutjeshme do të jenë të nevojshme për ta zvogëluar kohën dhe koston e falimentimit, duke i thjeshtuar procedurat dhe duke e rritur përdorimin e sistemeve të zgjidhjes jashtë gjykatave, si p.sh Odat Ekonomike.

Edhe pse shtetet e Ballkanit Perëndimor njihen me ekonomi të brishtë, kjo e bën të vështirë sidomos mbijetesën e NVM në këto tregje. Megjithatë bizneset e vogla e kanë rolin si “rrotë e zhvillimit ekonomik”. Me mbylljen e kufijve të vendeve përsëri u rishfaq nevoja për rikthim në tregjet e ekonomisë kombëtare dhe këto biznese në disa vende u dëshmuan si çelësi kryesor në luftën ndaj pandemisë. Ato prodhuan ushqime bazë, materiale higjienike, madje në disa vende edhe medikamente dhe respiratorë. Roli i bizneseve të vogla dhe të mesme është kryesor në punësimet e reja dhe avancimin e kuadrove profesionale, si dhe në paraqitjen e sipërmarrësve të ri. Krijimi i politikave afatgjate për nxitjen e këtyre bizneseve do të ndihmonte në rikuperimin e dëmit nga krizat të ndryshme dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendeve.