Pesëmbëdhjetë fëmijë kanë vdekur në Haiti pas një zjarri në një jetimore në periferi të kryeqytetit.
Shkaku i zjarrit është duke u hetuar, por sipas raporteve thuhet se brenda në ndërtesë përdoreshin qirinj në vend të energjisë elektrike.
Jetimora e drejtuar nga një grup i krishterë me qendër në SHBA, ishte një nga qindra të tjera në Haiti që vepronte pa autorizim zyrtar.
Autoritetet tani po punojnë për të mbështetur dhe rivendosur fëmijët e mbijetuar.
Arielle Jeanty Villedrouin, drejtore e Institutit për Mirëqenie Sociale, tha se, në kohën e zjarrit, rreth 60 fëmijë po jetonin në jetimoren e pa licencuar, të operuar nga Kisha e Bibliotekës me qendër në Pensilvani.
“Ne do t’i vendosim të mbijetuarit në një qendër transiti, ndërkohë që bëjmë kërkime mbi familjen e tyre dhe të shohim nëse mund t’i bashkojmë ata me prindërit”, u shpreh ajo për agjensinë e lajmeve Reuters.
Zjarri në jetimore, që ndodhet në jug të kryeqytetit Port-au-Prince, ndodhi të enjten në mbrëmje. Zyrtarët thanë që dy fëmijë u vranë në flakë dhe 13 të tjerë vdiqën në spital si rezultat i thithjes së tymit.
Sipas raportimeve gjeneratori i ndërtesës ishte prishur dhe kishin ndezur qirinj gjatë natës së zjarrit.
Gjykatësi vendor Raymonde Jean Antoine tha për agjencinë e lajmeve AFP se jetimoreja nuk ishte e autorizuar të operonte që nga viti 2013.