E diela sjell të gjitha ndeshjet e xhiros së 21-të në Superligën e Maqedonisë

E diela sjell të gjitha ndeshjet e xhiros së 21-të në Superligën e Maqedonisë
Para 11 min

Marketing

Këtë fundjavë e shtuna ishte pa futboll të Superligës në Maqedoni të Veriut, pasi të gjitha ndeshjet e xhiros së 21-të janë përcaktuar të luhen të dielën.

Kështu në program ditën e nesërme janë gjashtë ndeshje. Fillimisht ishte paraparë që dueli që do të luhet në Tetovë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit të zhvendoset për të shtunën për shkak të transmetimit në kanalet shtetërore, por e njejta pas kërkesës së tetovare u la që të zhvillohet të dielën.

Pikërisht një nga sfidat që pritet me interes është Shkëndija edhe Vardari, dy rivalë të vjetër, por jo edhe tani, pasi kuqezinjtë tetovar luftojnë për titull, teksa kuqezinjtë nga kryeqyteti për mbijetesë. Gjithsesi, skuadra e Jeton Beqirit kërkon vetëm triumf në këtë duel, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte hap fals për tetovarët në garën për kreun.

Kampionët në fuqi, Struga Trim Lum në këtë xhiro do të përballet me Sileksin në Kratovë, përderisa liderët aktual, Shkupi presin në Çair, Tikveshin e Kavadarit.

Skuadra tjetër shqiptare, Voska Sport do të luaj në kryeqytet ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, ku kërkon triumfin e parë në vitin 2024, teksa Gostivari do ti matë forcat me Breran e Strumicës.

Pjesë e programit të xhiros së 21-të është edhe takimi Rabotniçki – Bregallnica që do të luhet në arenën “Todor Proeski”.

Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 14:00.