E kthyera nga Siria: Burri më tha se do të shkojmë në Gjermani, veç kur e pashë veten në luftë!

“Burri më kishte thënë se po shkojmë në Gjermani. Unë isha shtatzënë. I shitëm krejt ç’ka patëm në Kosovë dhe morëm rrugën. Nuk e di se sa e do të përfundoja në kamionin i cili na çoi në kampet e luftës në Siri”, kështu ka deklaruar para avokates 27-vjeçarja e riatdhesuar para disa ditëve nga Siria në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Marketing

Ajo bashkë me 31 gra të tjera pas një operacioni të organizuar nga ushtria amerikane u rikthyen për në Kosovë pas pesë viteve qëndrim në Siri. Këto gra, ka dy ditë që janë duke dhënë deklaratat e tyre në seancat dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përkatësisht në departamentin për Krime të Rënda.

Në deklaratat që kjo e riatdhesuar i dha dje para trupit gjykues, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i kishte thënë se po shkojnë në Gjermani. Në kohën e nisjes për në kampet e luftës, kjo 27-vjeçare kishte qenë shtatzënë. Pas një kohe qëndrimi atje, asaj i vritet burri. Ndërkohë që detyrohet të martohet me burrin e dytë, i cili ishte shqiptar. Nga dy martesa kjo 27-vjeçare ka dy fëmijë. Këto detaje i dha sot për Express, avokatja e saj Saranda Beqiri.

“Ajo ka deklaruar se atje ka shkuar pa dëshirën dhe vullnetin e saj. Faktikisht nuk e ka ditë se për ku është nisur. Ka menduar se po shkon në Gjermani për jetë më të mirë. Këtu të gjitha që i kanë pas i kanë shitur. Por në fazën e fundit ajo e ka parë që vetën në kamion e ka ditur që po shkon në Siri. Ajo ka qenë shtatzënë në kohën kur ka shkuar me burrin e saj”, tregon avokatja Beqiri.

Avokatja thotë se klientja e saj është penduar për shkuarjen e saj në kampet e luftës.“Ajo kur ka shkua atje ka kërkuar menjëherë me u kthye, por kjo gjë ka qenë e pamundur. Bashkëshorti i saj ka vdekur atje. Atje është martuar me një person tjetër që është shqiptar. Kjo tani i ka dy fëmijë me dy burra të ndryshëm.”, deklarohet për klienten e saj avokatja.

Ndërkohë, për dy ditë rradhazi Gjykata Themelore ka mbajtur seanca dëgjimore ku kanë dëshmuar disa gra të kthyera nga Siria.

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së mërkurë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për vendosjen e masës së arrestit shtëpiak për 19 gratë e kthyera nga Siria. Nga Gentiana Hasani

Marketing