E pushuan nga puna, vret me armë 5 kolegë dhe më pas veten

Një sulm me armë ka tronditur shtetin amerikan të Uiskonsin. Ngjarja e rëndë ndodhi në Miluokin, ku një punonjës i kompanisë së birrës, “Molson Coors” vrau 5 kolegë dhe më pas veten, pasi më herët gjatë ditës e kishin pushuar nga puna.

Marketing

Drejtuesi i kompanisë, Gavin Hattersley, tha se 51-vjeçari ishte punonjës në sektorin e prodhimit të birrave. Pasi ishte pushuar nga puna, ai ishte kthyer në godinë me një armë me silenciator dhe kishte hapur zjarr drejt kolegëve. Sipas hetimeve paraprake, besohet se ai ka arritur të rifutet brenda godinës duke vjedhur kartën e identifikimit të një punonjësi tjetër.

Në kompleksin e godinave, ku kishte edhe zyra të tjera përveç fabrikës së prodhimit të birrës, punojnë rreth 1000 persona dhe autoritet thonë se bilanci mund të kishte qenë edhe më tragjik.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu “ngushëllimet e tij më të thella për viktimat dhe familjet” dhe tha se sulmuesi ishte një vrasës i lig dhe njeri i dobët.