E quajti gënjeshtar, Haradinaj i përgjigjet Ramës: Po nervozohet, por na nuk hamë bari

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se ideja për nismën e quajtur “minishengen” ka ardhur me qëllim të heqjes së taksës ndaj Serbisë. Sipas tij, është i pakuptimtë një projekt ku Serbia do të përfitonte prej tregut të Kosovës ndërkohë që kjo e fundit nuk do të kishte asnjë përfitim.Në një intervistë për KosovaPress, Haradinaj i përgjigjet edhe deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili kishte thënë se Haradinaj është gënjeshtar, pasi ky i fundit kishte deklaruar se “minishengeni” po bëhet për heqje të taksës.

Marketing

Haradinaj, i cili plot gjysmë viti po udhëheqë me Qeverinë duke qenë në detyrë, flet edhe për mundësinë e formimit të institucioneve nga Albin Kurti. Gjithashtu, përgjigjet edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave, gjë për të cilën gjatë gjithë mandatit të tij kishte dhënë data të ndryshme se kur Kosova do të marrë dritën e gjelbër për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Ramush Haradinaj thotë se përmes “minishengenit” të gjithë ata që kanë investuar në ekonominë e Serbisë, përfshirë Rusinë, do të mund të kishin edhe Kosovën si treg.

Ai thotë se një “minishengen” me kryeqytet Beogradin, është i pakuptimtë për të gjithë shqiptarët.

Kujtojmë se kur Haradinaj pati deklaruar se “minishengeni” do të mundësonte heqje të taksës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur gënjeshtar.

E Haradinaj thotë se Rama duhet të kuptojë që në Kosovë njerëzit “nuk hanë bari”.

“Po ai po bëhet nervoz, ai duhet ta kuptojë që bari nuk hamë në Kosovë, ne me këto tema jetojmë gjithë kohën, ne nuk kemi qare pa i nxjerr në dritë këto probleme, nuk mundemi me i hesht. Imagjinoni unë me hesht presionin për ndarje të Kosovës ose presionin që me i bë Kosovës lojëra të ndryshme që me kyç në ndonjë proces ku Kosova nuk vjen në sistem realisht, në mënyrë që Kosova me heq taksën dhe Serbia të përfitojë prej tregut tonë pa asnjë efekt pozitiv për Kosovën, kjo është e pakuptimtë”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thotë se nuk dëshiron të prishë gjuhën e komunikimit, ndërkohë deklaron se shqiptarët kudo janë vëllezër.

Ai thotë se mund të bëhet “minishengen” Kosovë-Shqipëri bilateral, por jo një i tillë duke përfshirë Serbinë.

Sipas Haradinajt, taksa në rrugën e kombit duhet të hiqet, që të largohen pengesat dhe të krijohet më shumë infrastrukturë e ndërsjellë.

“Pse ne duam me i forcu tregjet tona për ekonominë e Serbisë e nuk integrohemi ndërsjellë, pse nuk kthehemi ne njëherë në një treg të fuqishëm e pastaj edhe të bashkëpunojmë me të tjerët, është tepër e ngutshme me hap Kosovën për Serbinë, me heq taksën për Serbinë, me hap tregun e Shqipërisë për Serbinë për çfarë, vetëm me i bë qefin Vuçiqit ose Rusisë, jo nuk guxojmë ashtu”, thotë Haradinaj.

Por, Haradinaj vlerëson se taksën nuk do ta heq as Qeveria e re e Kosovës.

Ai thotë se Kosova duhet të vazhdojë të respektojë veten, dhe nuk bën të shkojë në përshtatje për siç thotë ai as për hatër të rajonit as bashkësisë ndërkombëtare.

“Nuk besoj që ka me u heq taksa, taksën e heq vetëm Qeveria e Serbisë, nuk e heq Qeveria e Kosovës, ata e kanë në dorë me heq, me njohje, nëse na njohin, Serbia sot mundet me heq taksën, nuk ka nevojë me na prit ne”, thotë Haradinaj.

Ndërsa për mundësinë që Albin Kurti të qeverisë me vendin, Haradinaj thotë se nuk e sheh atë të fokusuar me temat qeverisëse.

“E kam parë më shumë te disa politika ideologjike, të disa retorika ashtu më shumë të dogmës, dhe kam treguar disa herë që nuk pres që qeveria e udhëhequr nga zoti Kurti të jetë sukses për Kosovën, do të jetë zhgënjim për fat të keq, për shkak se menaxhimi është sfidë në vete, qeveria është sfidë menaxheriale dhe me sa kam parë zoti Kurti është më shumë i prirë për disa lojëra politike, për disa retorika politike, se sa për qeverisje.

Ramush Haradinaj, i cili në korrik të vitit 2019 dha dorëheqje pasi u ftua nga Gjykata Speciale, thotë se ky veprim nuk ishte aspak i lehtë për të.

Veçse, sipas tij, ajo dorëheqje ishte porosi që Kosova nuk mund të shantazhohet.

“Dorëheqja ime ishte sfidë, ishte jo e lehtë por ishte po ashtu një porosi që nuk mund të shantazhoni Kosovën asnjëherë, nga askush. Kush mendon që e shantazhon Kosovën gabon, në të drejtën e vet për me qenë sovrane, e pavarur, te jetë anëtare e BE-së, NATO-s, OKB-së, ne vazhdojmë me përsërit me krenari që ne i takojmë botës së lirë që I prinë Amerika, dhe në këtë botë nuk ka rob, ne jemi vend sovran”, thotë ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë gjithë vitit doli me deklarata optimiste se në një afat të shkurtë kohor Kosova do të merrte liberalizimin e vizave.

Madje, jo rrallë herë ai dha edhe data se kur do të ndodh kjo, por viti 2019 u përmbyll pa ndonjë lajm pozitiv se kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Por, ai thotë se e ka për detyrë të jap deklarata të tilla, pse jo edhe të jap data, që sipas tij, në këtë mënyrë që siç thotë ai të bëjë presion.

Edhe njëherë, në intervistën dhënë për KosovaPress për fundvit, Haradinaj thotë se shpreson që në fund të shkurtit ose në mars 2020 mund të vendoset për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Por duhet krejt, unë , populli, politika, opozita, çdo kush, ti sot ne me bë në rrugë pse nuk na japin liberalizimin. E shoh një pjesë mezi presin me thënë na tha kryeministri e nuk I doli fjala, o njerëz ato nuk jepen për mua por jepen për krejt ne, urdhëroni të bëjmë protesta nëse është nevoja, urdhëroni të kërkojmë, pse mos me i shku para zyrës së BE-së me i bë protesta çdo ditë, po bëjmë protesta për çdo gjë, po na mohohet një e drejtë”, thotë ai.

Haradinaj shton se qasja e BE-së ndaj Kosovës është e pakuptimtë.

“Nuk e kam për vota, nuk e kam për asgjë, është kryer kjo punë, por është e pa sinqertë prej BE-së me i diskriminu kështu qytetarët e Kosovës, është e pakuptueshme, është e pashpjegueshme, duhet me i ardh marre krejt BE-së për këtë qasje që ia bëjnë qytetarëve të Kosovës, pra nuk ka më asnjë arsye pse po ia bëjnë kështu qytetarëve të Kosovës”, shton ai.

Ai thotë se edhe pse kritikohet në vazhdimësi për deklaratat që i jep për vizat, e ndjen obligim që të insistojë dhe kërkojë liberalizimin gjatë gjithë kohës, meqë siç thotë ai Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ramush Haradinaj po vazhdon të drejtojë Qeverinë e Kosovës në detyrë, meqë partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e kanë një koalicion qeverisës përmes së cilit do të krijonin institucionet e reja të ekzekutivit.

Marketing