E quajti sharlatan, Panucci padit Bujar Nishanin dhe i kërkon ish-presidentit 100 mijë euro dëmshpërblim

Christian Panucci është “sy e bebëz” te dy ndeshjet e radhës zyrtare të kombëtares së Shqipërisë, që do t’i luajë më 7 dhe 10 shtator në “Elbasan Arena” dhe në Skoci, respektivisht. Duket sikur ky është shansi i fundit i tij për të fituar zemrat e tifozëve kuqezinj, por edhe të vetë punëdhënësve në FSHF. Zhgënimi në lojë dhe rezultat, si në miqësoret e fundit, mund t’i rrezikonte atij postin që mban.

Marketing

Megjithatë, duket se sh-futbollisti i Real Madridit, ndër të tjera, ka hapur një luftë edhe jashtë fushës së blertë, që nuk dihet se sa do t’i pëlqejë Armando Dukës dhe të tjerëve në zyrën pranë Ambasadës Amerikane, në Rrugën e Elbasanit. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë ka paditur që më 20 korrik, në Gjykatën e Tiranës, ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, që i dorëzoi me duart e veta nënshtetësinë shqiptare paraardhësit të Panuccit, Xhani De Biazi.

Shkak për këtë vendim të papritur dhe të rrallë në futbollin tonë është bërë një status i Ish-Presidentit Bujar Nishanit pas humbjes 3-0 të kombëtares kuqezi ndaj Kosovës, në miqësoret e fillmqershorit, në Zvicër. Nga ai status, Panucci është ndier i fyer dhe prekur në imazh, ndaj kërkon nga gjykata dëmshpërblim financiar prej 100 mijë eurosh.

Ish-Presidenti i Shqipërisë e cilësonte Panuccin si një sharlatan, që po shkatërron edhe atë që është ngritur, pas humbjes së kombëtares përballë Kosovës. E pikërisht kjo deklaratë e Nishanit është paditur nga Panucci në gjykatë, padi e cila do të shqyrtohet nga gjyqtarja Anila Karanxha. Veç dëmshpërblimit financiar, trajneri kuqezi kërkon dhe përgënjeshtrim të kësaj deklarate nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Ai, në padinë e ngritur, është bazuar në nenet 608 dhe 654 të Kodit Civil dhe pretendon se i është cënuar nderi, personaliteti dhe reputacioni.

 

Marketing