Kushtet e rënduara ekonomike dhe depresioni dyshohen të kenë qenë shkaktarë të një ngjarjeje të rëndë që ka ndodhur ditën e sotme ku një grua ka varur veten duke i dhënë fund jetës.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Skrevan në Urë Vajgurore. Viktima është një 51-vjeçare me iniciale B.S.
Pasi kishte ushqyer kafshët e shtëpisë ajo kishte varur veten me litar në pemën përpara ahurit të bagëtive. Disa orë më vonë bashkëshorti i saj ka gjetur trupin dhe njoftuar menjëherë policinë.
Më pas është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Berat, por ka mbërritur atje pa shenja jete dhe mjekët e kanë dërguar trupin e pajetë të saj në morgun e spitalit.
51-vjeçarja ishte nënë e tre fëmijëve njëri prej të cilëve ishte emigrant në Greqi. Ajo jetote sëbashku me burrin dhe dy fëmijët e tjerë.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë dhe ekspertë kriminialistikë për të bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes së rëndë.