E vërteta e shqiptarëve katolikë të Shkupit, prezantohet në Nju-Jork

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, nisi aktivitetin “Java kulturore shqiptare në SHBA”, me promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skender Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko.

Marketing

Aktiviteti, siç njoftojnë nga ITSHKSH, u zhvillua në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës2 në Hartsdale të Nju-Jorkut, me praninë e një numri të madh të bashkatdhetarëve tanë.

Drejtori i Institutit dhe autor i librit, Skender Asani, tha se përmes këtyre dokumenteve dhe dëshmive historike, për herë të parë po del në shesh një histori e fjetur e shqiptarëve autoktonë të Shkupit.

Sipas tij, përmes argumentimit shkencor përgënjeshtrohen historitë e pavërteta të encikopedive sllave për Shkupin, si dhe grumbullohet një material i mirë për ta shkruar historinë e vërtetë të shqiptarëve të Shkupit me fakte të pamohueshme. Asani tha se përmes këtij libri, Shkupi argumentohet edhe si një kryeqendër shpirtërore e shqiptarëve në botë, e cila ka një vijueshmëri që nga periudha antike e deri në ditët e sotme.

Eventin e përshëndetën prifti i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Pjetër Popaj si dhe përfaqësuesi I Federatës Panshqiptare “Vatra”, Marjan Cubi, të cilët u shprehën të impresionuar me volumin e informacionit për shqiptarët katolikë të Shkupit, që u erdhi përmes këtij libri.

Rreth librit foli edhe autorja tjetër Natasha Didenko, e cila theksoi se këtë libër e ka punuar më tepër e shtyrë nga aspekti emocional, si një bijë e një katolikeje shqiptare, duke e parë se sa e rëndësishme është të shihet ecuria jetësore e një personaliteti në një rreth të caktuar familjar.

Pas promovimit u shfaq dhe filmi dokumentar kushtuar ipeshkvit të Shkupit, Pjetër Bogdani, një prodhim i Televizionit të Maqedonisë.

Në mbrëmje, në Qendrën Kulturore të Maqedonisë në Nju-Jork, u hap ekspozita dokumentare për familjet katolike shqiptare në Shkup “Jeta përmes kujtimeve”.

Ekspozitën e hapi drejtori Skender Asani dhe prifti Pjetër Popaj. Ndërsa, fjalë rasti pati punëtori shkencor i Institutit dhe këshilltar i Ministrisë së Kulturës, Zeqirija Ibrahimi, i cili i përshëndetit të pranishmit edhe në emër të ministrit Asaf Ademi. Ibrahimi theksoi rëndësinë e moshumbjes së gjurmëve të një komuniteti të rëndësishëm të shqiptarëve të Shkupit, të cilat shërbejnë për lidhjen e hallkave identitare të autoktonisë shqiptare të Shkupit.

Aktivitetet në kuadër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, vazhdojnë sonte me promovimin e librave të botuara në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante në Shqipëri dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqiptarëve në Amerikën e Veriut.

Të martën do të vazhdojnë ngjarjet në bashkëpunim me Qendrën Islame Shqiptare në Nju-Jork dhe Nju-Xhersi me promovimin e disa titujve shkencorë të Institutit. Të shtunën, aktivitetet përmbyllen në Federatën Panshqiptare “VATRA”. Të gjitha këto ngjarje kulturore në SHBA, zhvillohen në shenjë të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Marketing