Ecolog dhuron dhjetë autoambulanca në Maqedoninë e Veriut(FOTO)

Dhjetë autoambulanca, të kompletuara me pajisje dhe aparaturë mjekësore, i dhurohen Shtëpive të Shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani që ndodhemi në periudhë pandemie, kur nevojat e popullatës për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Marketing

Kompania Ecolog International vazhdon misionin e saj nga sfera e përgjegjësisë shoqërore. Kësaj radhe Ecolog International dhuron për spitalet e vendit dhjetë autoambulanca të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore.
Ky donacion synon fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të sektorit të emergjencës, sidomos tani në periudhën e pandemisë kur nevojat e qytetarëve për ndihmën e shpejtë mjekësore janë shtuar ndjeshëm.

Filantropi Lazim Destani, si iniciator i këtij donacioni, tha:
“Më vjen mirë që këtë donacion po e realizojmë në këtë periudhë kohore kur kërkesa për të reaguar shpejt është shumë domethënëse, sidomos tani kur akoma ndodhemi në luftë me virusin Covid-19. Shpresoj me këto dhjetë autoambulanca t’u vijmë në ndihmë spitaleve në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme, ndihma e shpejtë shpëton jetë njerëzish”.

Në ceremoninë e dorëzimit të autoambulancave, organizuar në hapësirat e kompanisë Ecolog në Tetovë, për pranimin e donacionit prezent ishin, Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Ivanka Stojanovski dhe drejtuesit e Shtëpive të Shëndetit nga, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Kumanova, Shtipi, Velesi dhe Manastiri. Spitalet përfituese nga ky donacion u përcaktuan sipas konsultave paraprake me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i kompanisë Ecolog, Seid Jusufi, në fjalën e tij para mediave tha:

“Aktivitetet nga sfera e përgjegjësisë shoqërore për dekada me radhë kanë qenë pjesë e pandashme e kompanisë Ecolog. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi, arti, kultura, deri te solidarizimi me familjet sociale apo të prekurit nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Në këtë periudhë dy-vjeçare, është shëndetësia ajo që ka marrë më shumë vëmendje. Së këndejmi, nga Kryetari i Bordit Këshilldhënës, z. Lazim Destani, erdhi dhe iniciativa për dhurimin e këtyre dhjetë autoambulancave. Besojmë se ky donacion do të jetë nji kontribut për fuqizimin e kapaciteteve spitalore si dhe ndihmë për punonjësit e shëndetësisë në betejën e tyre kundër Covid-19.
Autoambulancat janë të kompletuara me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme mjekësore për t’u vënë në funksion që nga dita e sotme”.

Marketing