Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Millun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, i cili është i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër PPS.nr.103/22, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M edhe për dy muaj, gjykata ka marr aktvendimin me numër PPPS.nr.63/22 të datës 10.11.2023, me të cilën është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M deri me datën 12.01.2024”, thuhet në përgjigje.
për “Lune”-n thuhej se është njëri nga organizatorët kryesor të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it gjatë trazirave të 29 majit në veri.
Sipas ministrit Sveçla, “Lune” është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në veri.
Tutje, ministri tha se ai ka qenë organizator i sulmit ndaj forcave të KFOR’it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka bërë të ditur Sveçla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se arrestimi i “Lune” nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës çoi në hakmarrje nga ana e shtetit serb, kur kidnapoi Rifat Zekën, Beqir Sefajn dhe Shemsi Mustafën.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pati shkruar ai në ‘Facebook’.