Edhe dy persona të tjerë u arrestuan bashkë me këngëtaren Fjolla Morina

Këngëtarja Fjolla Morina, është arrestuar ditën e sotme teksa tentonte të hynte në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës me armë zjarri.

Marketing

Sipas njoftimit të policisë, vepra penale që i ka kaluar Prokurororisë së Kukësit është “trafikim i armëve dhe municionit”.

Kontrolli i imtësishëm i bërë pas informacioneve nga Policia Kriminale e Kukësit bëri që këngëtarja si drejtuese e mjetit të arrestohej.

Në këtë rast Fjolla nuk ka qenë vetëm.

Në momentin e ndalimit, në veturën e këngëtares kanë qenë edhe dy persona, F.M, 29 vjeç nga Bresalci dhe F.S, 29 vjeç me banim në Belgjikë.
Nuk dihet nëse personat e ndaluar me këngëtaren janë familjarë apo miq të saj.

Njoftimi i plotë i policisë shqiptare:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje. Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, bazuar edhe në informacionet e marra nga Policia Kriminale e DVP Kukës, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Audi”, me drejtuese shtetasen F.M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë, e cila udhëtonte me shtetasit F.M., dhe F.S., banues në Kosovë e Belgjikë.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në çantën e dorës së shtetases F.M, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Zoraki”, me 23 fishek. Ndërsa në bagazh të automjetit u gjet një pistolet në dukje e dyshuar lodër cakmak. Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve; F.M., 34 vjeçe, banues në Prishtinë, Kosovë, F.M., 29 vjeç, banues Bresalc, Kosovë dhe F.S., 29 vjeç, banues për Belgjikë. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.