Presidenti finlandez Sauli Niinisto ka reaguar pas kërcënimit që ia bëri sot Rusia se nëse tentojnë të futen në NATO do të mund të përballen me pasoja ushtarake dhe politike.
Niinisto dhe ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, thanë se se Finlanda nuk është nën ndonjë kërcënim ushtarak, duke kujtuar se situata ushtarake mbetet e qetë në afërsi të Finlandës.
“Forcat e Mbrojtjes Finlandeze kanë gatishmëri të mirë për të përmbushur përgjegjësitë që i takojnë. Finlandezët mund të kenë besim në forcat tona të mbrojtjes”, pohoi Kaikkonen.
Niinisto tha se Finlanda nuk po mendon t’i bashkohet NATO-s, shkruan Helsinki Times.
Ministri i Punëve të Jashtme Pekka Haavisto tha se politika finlandeze e sigurisë është krijuar për t’i bërë ballë kohërave të krizës.
“Ne do të nxjerrim përfundime pas krizës se çfarë masash nevojiten,” tha Haavisto.
Finlanda ka njoftuar se qëndron në krah të Ukrainës. Ajo tashmë ka dërguar ndihma financiare për vendin si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes Bashkimit Evropian. Ndërkohë, forcat finlandeze të mbrojtjes kanë filluar të hetojnë se çfarë armësh apo materiale të tjera mbrojtëse mund të dorëzojë pa dëmtuar aftësitë e veta mbrojtëse.
Kaikkonen tha se Finlanda është “pozitive” në lidhje me kërkesat nga vendet e tjera për t’i ofruar Ukrainës armë dhe furnizime të tjera të marra nga Finlanda.
Kryeministrja Sanna Marin (deklaroi se Finlanda do t’i përgjigjet pushtimit rus me sanksione së bashku me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian.
“Nuk mund t’i vendosësh një çmim paqes, stabilitetit dhe jetëve njerëzore,” theksoi ajo, duke shtuar se reagimi ndaj sanksioneve është i pashmangshëm.
“Kjo është kostoja e kësaj situate. BE-ja nuk e donte këtë situatë. Kjo është për shkak të veprimeve të Rusisë.