Edhe një shef i DSK-së përfundoi në Shutkë

Ish-drejtorit të DSK-së Vlladimir Atanasovski iu shqiptuan 30 ditë paraburgim. Prapa grilave Atanasovskin e vendosën vëllezërit Mlladenovski dhe Zaharie Simovski, që të gjithë të akuzuar për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit të kaluar.

Marketing

Pikërisht pas dëshmimit të tyre në sallën e gjykatës se organizator i sulmit të dhunshëm në Parlament është DSK-ja, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion nisi procedurë hetuese për Atanasovskin për vepër penale “Bashkim për veprimtari armiqësore”, e cila parashikon së paku katër vite burg. Paraburgimi i është përcaktuar për shkak të frikës nga arratisja, ndikimi ndaj dëshmitarëve, si dhe për shkatërrimin e mundshëm të gjurmëve nga vepra penale.

Prokurorja Villma Ruskoska mbrëmë bëri të ditur se do ta zgjerojë hetimin, ndërsa hollësitë nga të akuzuarit për përfshirjen e DSK-së dhe personave të punësuar në Kabinetin presidencial për herë të parë i ka dëgjuar në sallën e gjykatës.

Nikolla Boshkovski është përmendur nga të gjithë të akuzuarit që prononcoheshin dhe ata kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me të. Dje edhe vetë jeni të vetëdijshëm se Sinisha Aleksovski është përmendur se si dikush ka biseduar me të, e më pas e ka përcjellë informacionin. Nuk mund t’i vendosim në rrafsh të njëjtë përmendjen e njërit dhe tjetrit“- tha Villma Ruskoska, prokurore.

Avokati i ish-drejtorit të DSK-së e vlerësoi si të pabazë kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Konsiderojmë se Prokuroria bën një gabim të madh duke u besuar njerëzve që përballen me burg të përjetshëm dhe të cilët do të thoshin gjithçka për t’iu shmangur kësaj“- pohoi Jordan Apostolloski, avokat.

Sinisha Aleksovski, i punësuar në Kabinetin e Presidentit Gjorge Ivanov, të cilin të akuzuarit e përmendën në sallën e gjykatës, mohoi çfarëdo përfshirje në ngjarjet dhe i akuzoi për manipulim. Ndryshe, nesër në gjykatë mbrojtjen e tij për hyrjen e përgjakshme në Kuvend do ta bëjë edhe i akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha, i cili sipas dëshmive të deritanishme është në mesin e figurave kyçe për ngjarjet në Kuvend.

Në mesin e dëshmitarëve që ai i ka ftuar është edhe vëllai i tij Bllagoja, i cili ishte truproje e Nikolla Gruevskit dhe vitin e kaluar më 27 prill e shoqëronte atë në udhëtimin zyrtar në Austri. Sipas Prokurorisë, Bllagoja atë ditë nga Vjena i është lajmëruar Ninxhës dhe ky i fundit pas bisedës telefonike ka filluar të grumbullojë njerëz dhe t’u shpërndajë maska.