Shqipëria voton të dielën! Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.
“Vota juaj është e rëndësishme, dhe çdo votë është një zë që duhet dëgjuar. Ju inkurajoj të merrni pjesë me besim dhe përgjegjësi në këtë proces vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë në historinë tonë, vota e diasporës është bërë pjesë e këtij procesi. Rreth 93% e zgjedhësve nga diaspora kanë marrë fletën e votimit, dhe 81% e tyre e kanë plotësuar dhe kthyer në KQZ, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes dhe forcimit të lidhjeve me shqiptarët kudo në botë, duke garantuar që zëri i çdo qytetari shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, të dëgjohet dhe të respektohet”, theksoi Celibashi.
Ai ftoi komisionerët të veprojnë me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke shtuar se çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me seriozitet të plotë. Celibashi nënvizoi se procesi do të monitorohet nga një prani e gjerë vëzhguesish kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Duke iu drejtuar partive politike, Celibashi theksoi se komisionerët janë në shërbim të procesit dhe qytetarëve, jo të partive që i kanë propozuar.
Ndërkohë në mesazh përfshihej edhe një apel për median dhe gazetarët, ku i ftoi të raportojë me saktësi, paanshmëri dhe profesionalizëm.
Mbi 3.7 milionë qytetarë të Republikës së Shqipërisë më të drejtë vote, do të vendosin të dielën nëse vendin do ta drejtoj sërish edhe për 4 vjetët e ardhshme Edi Rama me partinë socialiste apo ajo demokratike me Sali Berishën e rikthyer, por edhe forcat e tjera politike, përfshirë figura të reja në skenën politike të Shqipërisë.