Edhe pesë ditë për marrëveshje për Qeveri të re, biznesi pret masa të reja

Vazhdojnë bisedimet mes partive politike për të formuar shumicë të re parlamentare, pa ndonjë konfirmim zyrtar të një marrëveshjeje të mundshme. Kjo duhet të bëhet jo më vonë se të premten, kur skadon afati dhjetë ditor, pas së cilës presidenti duhet ta ndajë mandatin për të formuar qeveri.

Marketing

Fundjavën e kaluar, informacioni dhe mesazhet për bisedimet u dërguan kryesisht përmes njoftimeve nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, të dyja palët, që janë në garë për një Kabinet të ri qeveritar. Organizata e punëdhënësve, ndërkohë, ka bërë thirrje për formimin e menjëhershëm të një qeverie për të marrë masa të reja për të ndihmuar ekonominë.

LSDM sot përmes një komunikate informoi se i vazhdon bisedimet për formimin e shumicës stabile parlamentare dhe koalicionit qeveritar me mandat të plotë dhe stabil katërvjeçar. Jemi të përkushtuar në prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut, thonë nga kjo parti duke shtuar se është e qartë se vendi nuk ka alternativë tjetër të integrimit përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Në bisedimet me partinë politike BDI, jemi plotësisht të pajtimit për respektimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Jemi të angazhuar për kohezionin shoqëror, shoqëri të fortë dhe tolerante, shtetin e së drejtës dhe jemi dakord të kundërshtojmë të gjitha format e nacionalizmit dhe urrejtjes. Diskutuam se programi i mundshëm i përbashkët qeveritar duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së”, thuhet në komunikatën e partisë.

“Palët janë të pajtimit për pastrimin e gjyqësorit dhe kontrollin e origjinës së parave dhe kapitalit të secilit funksionar, përmes sistemit që bashkërisht do të dakordohet”, thuhet në kumtesë duke shtuar se bisedimet për një shumicë të re parlamentare vazhdojnë, sepse nevojitet shumicë stabile në Kuvend e cila do të sigurojë formimin e qeverisë së re dhe të përgjegjshme.

Të premten pasdite, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski u takua me sekretarin organizativ të BDI-së, Artan Grubi, me të cilin, siç thanë ata, patën një diskutim konstruktiv për të konfirmuar angazhimin e të gjithë qytetarëve për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, marrëdhëniet të shëndosha ndëretnike dhe fqinjësore, zhvillimi ekonomik, sundimi të ligjit, mjedis të pastër dhe mirëqenia sociale.

VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, dje përmes një komunikate i kërkoi LSDM-së të dalë dhe të thotë publikisht nëse ka shumicë në Parlament dhe nëse ajo do të formojë qeveri.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski në përgjigjen e gazetarëve rreth negociatave për formimin e Qeverisë së re tha se kanë bisedime me të gjitha partitë politike dhe shtoi se nuk do të hynte në detaje që të mos e dëmtojmë procesin.

“Ajo që mund të vërehej është se ka pasur një takim mes kryetarit Mickoski dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti që është mbajtur në Kuvend dhe zgjati një orë, ndërsa është biseduar edhe për më shumë tema. Se si do të zhvillohet situata tutje do të informoheni me kohë nga ana jonë si që ishte në mënyrë transparente rastin e kaluar. Sa i përket komunikimit me partitë, VMRO-DPMNE periudhën e kaluar në mënyrë miqësore atë e ben me gjtiha partitë politike në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Arsovski.

Organizata e punëdhënësve dje kërkoi formim të shpejtë të Qeverisë me qëllim të sillet pako e re e masave antikrizë.

Kryetari i Organizatës së punëdhënësve, Angel Dimitrov tha se veçmas në goditje është industria e tekstilit. Biznesi me qepjeën e pajisjes mbrojtëse dhe maskave po stagnon, ndërsa punëdhënësit alarmojnë se një numri të madh të konfeksioneve u kanoset mbyllja në tetor për shkak të kërkesës së ulët nga partnerët e tyre tradicional. Ankohen se tani janë lënë të vetëm të përballen kur një pjesë e madhe e punëtorëve janë në shtëpi. Ose janë pozitiv në koronavirus ose janë në izolim.

Dimitrov ka thënë se patjetër të sillet pako e masave me qëllim të ruhen vendet e punës, një nga masat e shembullit  të Gjermanisë është shpenzimet për punëtorët për katër orë t’i mbulojë punëdhënësi, ndërsa katër tjera shteti.

Kushtetuta parasheh presidenti i vendit, në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.