“Edhe Shqipëria ka nevojë për një Anton Çettë”

Në sallën e Teatrit të qytetit të Pejës u shënua 100-vjetori i lindjes së prijësit të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çettta, dhe 30-vjetori i asaj lëvizjeje.

Marketing

Përpos familjarëve, në tubim morën pjesë edhe bashkëveprimtarë të Çettës e edhe politikanë, të cilët ndanë me publikun kujtimet e asaj kohe, por edhe u dhanë premtime se do të botohen veprat e Çettës, si dhe do të vendoset busti i tij në lokacionin më të merituar.

Aty foli edhe anëtari i familjes Buqolli, Sokoli, i cili në vitin 1990 ishte vetëm 13 vjeç, por ndau kujtimet e tij kur në oborrin e shtëpisë së tij kishte hyrë Anton Çetta me rreth 20 persona të tjerë.

Familja Buqolli ishte e para që fali gjakun dhe shënoi nisjen e një historie.

Njëri prej nismëtarëve të kësaj ideje, Flamur Gashi, atë kohë student, e sot këshilltar i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, tha se as që kishte qenë në mendjen e studentëve të atëhershëm pejanë inicimi i kësaj ideje, pasi që, siç tha ai, ato ditë të janarit të vitit 1990 studentët po përgatiteshin të organizonin demonstrata.

Gashi kujtoi para të pranishmëve në këtë tubim se fillimisht Çetta kishte qenë skeptik për idenë e studentëve pejanë, por pas tri orë qëndrimi në zyrën e tij, vendosin që t’i futen këtij misioni, fillimisht të pamundshëm, e që në fund do të mbetet i shënuar përgjithmonë në historinë e re kombëtare.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, që ishte edhe organizator i këtij tubimi, tha se ajo lëvizje ka bërë një punë kolosale.

Aty foli edhe njëri nga veprimtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Riza Krasniqi.

“Për vetëm 80 ditë do të bënim një mrekulli, dhe më 1 maj në Verra të Llukës u mblodhën gjysmë milioni shqiptarë në tubimin e madh të faljes së gjaqeve. Kjo ka qenë mrekulli e vërtetë. Kosova pas asaj lëvizjeje ishte më e shëndetshme dhe më e fuqishme me iu vu përballë sfidave të mëdha që i kishte përpara. Edhe Shqipëria ka nevojë për një Anton Çettë, të cilin më së miri e ka përshkruar Ibrahim Rugova, duke e quajtur ‘institucion i urtisë shqiptare’”, tha ai.

Në tubim, të pranishëm ishin edhe vajza e profesorit të ndjerë Anton Çetta, si dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se vendi ynë ka pasur fat që ka pasur një figurë dhe atdhedashës si Anton Çetta, i cili, sipas saj, i kishte vënë mision vetes që t’i pajtojë shqiptarët e hasmëruar në Kosovë.

Për jetën dhe veprën e Anton Çettës foli edhe studiuesi i letërsisë, profesor Anton Berisha, i cili bëri kritika, pa përmendur adresa, për mosbotimin e veprave të Anton Çettës dhe mosngritjen e bustit të tij para Institutit Albanologjik.

E ministrja e re e Arsimit, Hykmete Bajrami, derisa foli për aksionin e pajtimit të gjaqeve, që sipas saj ka qenë goditja më e rëndë që Kosova i dha Serbisë, garantoi se do të merren seriozisht edhe me botimin e veprave të Anton Çettës, por edhe me vendosjen e bustit të Anton Çettës aty ku ai e meriton.