Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në 24 orët e fundit në Shqipëri.
Me këtë shfër, numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend shkon në 62.
Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë tha përmes një njoftimi për media se viktimat e fundit përfshijnë një 44-vjeçare nga Durrësi, një 71-vjeçar nga Tirana dhe një 85-vjeçar gjithashtu nga Tirana.
“Të tre pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë, për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor”, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu tha se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 teste të dyshuara për koronavirus, prej të cilave 69 kanë dalë pozitive.
Doktoresha Flutura Beqo, në komunikimin e përditshëm për media, tha se vazhdon të ketë rritje të numrit të të prekurve me koronavirus dhe se harta e infeksionit është shtrirë pothuajse në gjithë Shqipërinë.
“Shqetësues vijon të mbetet fluksi i shtrimeve në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë”, tha Beqo.
Në 24 orët e fundit, listës së të shëruarve në Shqipëri i janë shtuar edhe 25 pacientë të tjerë.
Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë janë 1,014 raste aktive me koronavirus, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.