Edhe Valmir Aziri, Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, ka shpallë kandidaturën për kryetar Dege të BDI-së në Tetovë. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Aziri shkruan se pas konsultimit paraprak me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me kërkesë dhe mbështetje të aktivit politik, do të dorëzoj kandidaturën time për Kryetar të degës së Tetovës në ditët në vijim.
“Dega e Tetovës është dega më e madhe e Bashkimit Demokratik për Integrim, duke pasur parasysh momentumin politik dhe nevojën e riorganizimit dhe ristrukturimit rrënjësor të degës, besoj fuqishëm se me një entuziazëm dhe me një përvojë serioze në menaxhim të institucioneve si dhe duke njohur thellsisht kodin gjenetik të partisë sonë, Ju garantoj që me një mentalitet fitimtarë e bashkëpunuese e me një punë vetmohuese do ta rikthejm Degën e Tetovës në një sipërmarrje që fiton dhe që krijon e menaxhon politika lokale e shtetërore”, shkruan Aziri.
Në ndërkohë, mbrëmë kandidaturën për kryetar i Degës së BDI-së në Tetovë e ka shpallur edhe Faton Ahmeti, drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
“Të gjitha të arriturat për shqiptarët e Maqedonisë, janë rezultat i kontributit të gjeneratave që i bashkërenduan aktivitetet si gjatë vitit 2001, ashtu edhe në vitin 2002 me themelimin e subjektit tonë, subjekt ky që për më shumë se 20 vite u bë gardian i interesave shqiptare në shtetin tonë. Prandaj, me vullnetin më të madh për të kontribuuar edhe më shumë në këto vlera, dua t’Ju njoftoj për kandidaturën time për Kryetar të Degës së BDI-së në Tetovë”, shkroi Ahmeti në profilin e tij në Facebook.