Edi Rama krijon Ministrinë Antikorrupsion

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vendosur të krijojë Ministrinë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe ka propozuar Adea Pirdeni në krye të kësaj ministre.

Marketing

Rama në një postim në rrjetet sociale ka bërë të ditur se propozimin për emërimin e Adea Pirdenit do t’ia dërgojë për miratim presidentit Bajram Begaj.

“Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkurruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trajnimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë… Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit. Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë Adea Pirdeni”, shkruan Rama.
Ndryshe, Adea Pirdeni në tri vjetët e fundit ka qenë zëvendësministre e Drejtësisë dhe zëvendëskryenegociatore me BE, si dhe në mbulimin e kapitullit madhor të gjyqësorit e të drejtave themelore.

Marketing