Mbyllja e TikTok në Shqipëri ka filluar. Kryeministri Edi Rama thotë se brenda 15 ditëve rrjeti social do të jetë totalisht ‘black out’.
Nga Lushnja në një takim me mësuesit, Rama tha se 95 për qind e mësuesve dhe prindërve, me të cilët janë konsultuar, janë dakordësuar për mbylljen e këtij rrjeti social.
“Kemi vendosur mbylljen duke u konsultuar me 95 përqind. Ka qenë vendimmarrje ku nuk ka pyetur njeri socialist apo demokrat se kanë pasur parasysh fëmijët e vet dhe 95 përqind prindër e mësues thoshin se duhet të mbyllet. Patjetër që kemi marrë vendim të mbyllet dhe paralelisht kemi hapur dialog me kompaninë, kemi thënë se Tiktok nuk do ta lejojmë të vazhdojë të funksionojë dhe të hyjë nëpër shtëpitë e familjeve tona si skuth me gjithë ato produkte që janë pa filtër. Nuk e kemi fare me ju, në kuptimin, jo ndonjë gjë ideologjike me ju, por duam garanci. Psh, kemi nxjerrë një sërë gjërash, ia kemi vënë kompanisë në dispozicion.
Për hir të së vërtetës kanë pasur një reagim që nuk e prisja. Kanë qenë bashkëpunues dhe na kanë premtuar se do të vijnë me një plan për të vendosur një sërë mburojash. Për anglishten, algoritmi i tyre arrin të bllokojë fjalë të caktuara. Për shqipen nuk kanë. Dhe ne jemi në kontakt me ta. Punon një grup me ta, kështu që kur të jenë gati do të vijnë në Shqipëri dhe publikisht do t’i tregoni prindërve se çfarë do të ndryshojë. Mbyllja ka filluar, teknikisht nuk është si mbyllje dritash. Ditë pas dite gryka e Tiktok Do të ngushtohet dhe në një periudhë 10-15 do të duhet të jetë black out. Dua t’ju them se i qëndrojmë plotësisht. “