Efekti Trump, zbutet Facebook! Kompania META i jep fund programit të kontrollit të fakteve

Më pak se dy javë përpara se Donald Trump të marrë detyrën, Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, njoftoi një sërë ndryshimesh në praktikat e saj të moderimit të përmbajtjes që praktikisht i japin fund programit të saj të gjatë të kontrollit të fakteve, (fact-checking), një politikë e krijuar për të kufizuar përhapjen e dezinformatave nëpër aplikacionet e saj të mediave sociale.

Marketing

Njoftimin e bëri nëpërmjet një video shefi i META-s, Mark Zuckerberg.

“Zgjedhjet e fundit i konsiderojmë si një pikë kthese kulturore. Ne po kthehemi te rrënjët tona dhe do të fokusohemi në reduktimin e gabimeve, thjeshtimin e politikave tona dhe kujdesin ndaj lirisë së shprehjes në platformat tona“, tha ai.

Për shumë analistë, kjo ishte një tjetër përkulje ndaj Donald Trump, i cili vazhdimisht e ka akuzuar facebook si censurues të fjalës së lirë. Madje ai e kërcënoi Zukerbergun para zgjedhjeve se nëse do të ndikonte në zgjedhje nëpërmjet censurës, do të arrestohej.

Pas rizgjedhjes së Trump, Zuckerberg u takua me presidentin e ri. Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Meta-s për çështjet globale, Nick Clegg, njoftoi largimin e tij, për t’u zëvendësuar nga Joel Kaplan, një republikan që ka qenë mbështetës i pretendimeve se platforma ka shtypur zërat konservatorë.

Pas takimit, Kaplan dhe Zuckerberg e konsideruan Trumpin si një kampion të shprehjes së lirë, por nuk përmendën fare sulmet e presidentit të zgjedhur ndaj kompanisë Meta.

Zuckerberg tha se verifikimi i fakteve do të zëvendësohej nga një “sistem më gjithëpërfshirës i shënimeve të komunitetit”, i ngjashëm me atë që është vendosur nga Elon Musk që kur bleu Twitter, më vonë u riemërua X.

Marketing