Ekrem Mustafa thotë se ka menduar të japë dorëheqje pas rastit në Drenas

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, thotë se ka menduar të dorëhiqet nga detyra e ministrit pas publikimit të rastit të vajzës së mitur nga Drenasi që është keqtrajtuar së pari nga mësuesi e më pastaj edhe nga një zyrtar policor.
Ai ka dhënë një arsye se pse nuk e ka bërë këtë, duke thënë se është më mirë që të vazhdohet zgjidhja e rastit.

Marketing

“Po sidoqoftë unë e kam menduar që është një pozicion që unë të marr masa edhe ndaj vetvetes, por momenti kur e kam marr detyrën rasti veç ka qenë në zhvillim e sipër. Është e mira e së mirës që ne të vazhdojmë në atë mënyrë që rasti të zgjidhet pa marr parasysh a unë do të jap dorëheqje a jo. Por, sidoqoftë nuk do të jetë vakum institucional edhe nëse largohem unë nga kjo detyrë. Më ka shkuar mendja që rastin ta trajtojmë në atë mënyrë që të merr një epilog të merituar, sepse është rasti mjaftë i ndjeshëm dhe mjaftë prekës për dikasterin të cilin unë e udhëhiqi”, ka thënë ai.

Ministri ka folur edhe për atë se atë se a i kanë ofruar ndihmë familjes së viktimës.

“Ne si institucion kemi insistuar që të organizohemi në atë mënyrë që rasti të mos marr një përmasë të pakontrolluar dhe mendojmë që ditët në vijim do të kontaktojmë me familjen dhe do t’i ofrojmë atë që e shohim në bazë të rrezikshmërisë nëse e shikojmë që është e rrezikuar familja”, është shprehur ai. Mustafa ka deklaruar se nuk do të mbetet askush i pandëshkuar që ka qenë i involvuar në këtë rast.

“Nuk jam për të mos u ndëshkuar personat të cilët janë të involvuar dhe kanë qenë të njoftuar me rastin në fjalë. Pa marr parasysh ecurinë dhe hetimet të cilat do t’i bëjë Policia hetimore e Kosovës ndaj këtij rasti ne do të reflektojmë pozitivisht që qytetari të ketë besueshmëri në Policinë e Kosovës dhe do të ndëshkojmë të gjithë akterët të cilët kanë qenë të njoftuar me këtë rast dhe nuk kanë kryer detyrën e tyre sipas rregullit dhe përshkrimit të detyrave të tyre”, tha ai.

Këto komente ministri Mustafa i ka bërë në TV Dukagjini.