Skandali me nepotizmin që po trondit pushtetin muajin e fundit patjetër duhet të hetohet hollësisht. Ata që me vetëdije e kanë shkelur Ligjin, patjetër duhet të japin llogari, shprehet për Alsat Dejan Donev, profesor në Fakultetin Filozofik në Shkup i cili merret me vlerat etnike të njerëzve. Donev më tutje thotë se në këtë rast sipas rregullave etike, bëhet fjalë për persona me kapacitet të pamjaftueshëm të vetëdijes morale. Po të kishin moral të mjaftueshëm, personat në fjalë fare nuk do ta merrnin këtë hap dhe nuk do të aplikonin për punë shtetërore, shton më tutje profesori. Për këtë shkak, nevojitet në hollësi të vërtetohet nëse janë respektuar të gjitha procedurat. Etika nuk ka dispozita ndëshkimore dhe kjo bëhet sipas lirisë së vullnetit, por përgjegjësia në këtë rast nuk duhet të anashkalohet.
Nëse veç më flasim për moral, pse nuk bëhet kjo para se të ndodhë diçka? Etika e konsekuencës apo etika e parandalimit është etika e ndërgjegjes. Duhet të mendojmë çfarë mund të fitojmë me këtë veprim para se ta marrim hapin. Të gjithë e dimë që puna e shtetit është më e mira, rroga është e rregullt, por nëse flasim për kuadër cilësorë, pse kjo të mos bëhet në sektorin privat”?- deklaroi profesor universitar, Dejan Donev.
Profesori Donev thotë se me kujdes duhet të shqyrtohet esenca e problemit. Më tej ai thotë se jo çdo punësim i të afërmve të zyrtarëve është shkelje apo nepotizëm. Nëse një i afërt i një zyrtari vendos të aplikojë për punë shtetërore, kjo të paktën duhet të jetë e ndershme dhe pa intervenim ku Komisioni duhet ta japë fjalën e fundit.
Ndoshta prindi juaj apo partneri i jetës është i mirë në atë që e bën, por ligji thotë se nuk duhet të bëhet në këtë mënyrë sepse është nepotizëm dhe nuk guxon të konkurrojë. Por, nëse akuzohet për nepotizëm ndërsa është kuadër i mirë, atëherë çfarë bëjmë? Të supozojmë se këta që janë pranuar janë të mirë, drejtësia duhet të vërtetojë nëse i plotësojnë këto kualifikime- theksoi Dejan Donev
Muajin e fundit u zbulua se punë shtetërore kanë marrë familjarë të afërt të zyrtarëve të Qeverisë, por edhe të deputetëve. Në mënyrë shtesë, për nepotizëm akuzohen edhe kryetarë komunash dhe këshilltarë qeveritar që i kanë punësuar të afërmit e tyre nëpër institucione shtetërore.