Pandemia e “Covid19” nxori në pah shumë mësime për mbrojtjen e ambientit, sidomos për ndotjen e ajrit. Profesori Asan Idrizi nënvizon se gjendja me pandeminë dëshmoi se autoritetet duhet të kontrollojnë vendosjen e filtrave nëpër fabrika si dhe përdorimin e lëndëve djegëse si nafta, qymyri, mazuti por edhe hedhjen e mbeturinave.
Kjo tregon se organet duhet të kenë kujdes në këto veprimtari, të ndërmarrin masa që ata ti respektojnë standardet ekologjike. Në shumë qytete siç është Shkupi, Tetova, Manastiri ku ka një dendësi shumë të madhe të njerëzve, ka lëvizje shumë të madhe edhe të komunikacionit dhe të industrive. Duhet të merren masa edhe në rregullimin veçanërisht të komunikacionit, për shkak se komunikacioni pas industrisë është ndotës kryesor i mjedisit – tha Asan Idrizi, Profesor.
Edhe nga ministria e Ekologjisë, thonë se pandemia solli shumë mësime kundër ndotjes së ajrit. Zëvendësministri Jani Makraduli thotë se një sërë e masave të marra për luftën kundër pandemisë, mund të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen.
P.sh. u dëshmua se disa punë mund ti kryejmë edhe prej në shtëpi, se një ditë në javë mund të punojmë prej në shtëpi. Se nuk është patjetër të gjitha seancat të organizohen dhe të vijnë nga i gjithë shteti për tu mbledhur por atë mund ta bëjnë përmes video konferencave kur do të kursenim edhe para, e jo vetëm që do i zvogëlonim grimcat në ajër. Mundemi një ditë në punë të vijmë me biçikleta dhe mos i shfrytëzojmë automjetet për në punë – deklaroi Jani Makraduli, zv. Ministër i Ekologjisë.
Makraduli shtoi se grupi ndër-resor, përveç masave të lartpërmendura, deri në Qeveri ka propozuar uljen e të dhënave doganore për biçikletat elektrike ose subvencionimin e tyre, me qëllim të stimulimit të përdorimit të biçikletave. Ai shtoi se nuk ka nevojë për fundjava pa automjete pasi analizat dëshmojnë se ndotja më e madhe e ajrit bëhet gjatë ditëve të punës, pasi në fundjavë banorët lëshojnë qytetet e mëdha.