Ekspertët për emrin: Ivanov nuk guxon ta bllokojë marrëveshjen

Qëndrimi i Presidentit Ivanov kundër erga omnesit, nuk duhet të ketë ndikim nëse zgjidhja përfundimtare gjendet në tryezë, vlerëson ish-gjyqtari kushtetues Trendafil Ivanovski. Sipas Kushtetutës, lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bilaterale është një detyrim i Ivanovit, por këtë të drejtë e ka edhe Qeveria.

Marketing

“Presidenti i shtetit si organ përgjegjës për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve duhet ti vlerësojë interesat e shtetit. Në rastin konkret, ai mund ta refuzojë formalisht marrëveshjen, por nuk mund ta refuzojë marrëveshjen ndërkombëtare, nëse atë e lidh Qeveria. Ai nuk mund dhe as nuk guxon të refuzojë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë ndërkombëtare” – deklaroi Trendafil Ivanovski, ish Gjyqtar Kushtetues.

Marrëveshjet e lidhura ndërkombëtare i nënshtrohen ratifikimit dhe kjo bëhet nga Kuvendi. Nëse ligji, domethënë, ratifikimi i marrëveshjes miratohet me shumicë prej dy të tretave, nuk ka elemente formale që Presidenti Ivanov të kundërshtojë. Por këtu përsëri mund të ndodhë që Ivanovi mos ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e marrëveshjes me Greqinë, siç ishte rasti me Ligjin për Gjuhët në Kuvend.

“Nëse presidenti dëshiron ta pengojë ose të vazhdojë këtë lojë duke mos nënshkruar dekretin për shpalljen e ligjit, do të ishte i papërgjegjshëm dhe do të përbënte prishjen e rendit juridik. Nëse e lejojmë veten si shtet, që ato marrëveshje ndërkombëtare të bien me një akt të tillë formal, të mos nënshkruhet dekreti për shpallje, ose gjenden pengesa tjera formale, mendoj se askush nuk do të na pranojë në bashkësinë ndërkombëtare apo vendet e tjera, si një subjekt juridik përgjegjës ose si shtet” – tha Trendafil Ivanovski, ish Gjyqtar Kushtetues.

Ivanovski shpreson që presidenti të mos e pengojë procesin, por edhe qeveria do të bëjë gjithashtu llogari për ruajtjen e identitetit të shtetit./Alsat-m

Marketing