Ekspertët: Personat e kthyer nga luftërat e Sirisë, të rrezikshëm për shoqërinë

Personat e kthyer nga luftërat në Siri e Irak, respektivisht ish-pjesëtarët e të ashtuquajturit ISIS mund të jenë të rrezikshëm për shoqërinë, varësisht nivelit të radikalizimit dhe përvojës që kanë pasur, kështu vlerësojnë ekspertët dhe rekomandojnë që institucionet të shqiptojnë masa të përshtatshme penale dhe risocializuese. Eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani vlerëson se është e rëndësishme që vendi të jetë i drejtë ndaj këtyre individëve.

Marketing

“Republika e Maqedonisë nuk ka ndonjë strategji fikse për shkaqet që shumë grupacione të reja e lëshojnë atdheun. Nëse i shohim të dhënat e fundit statistikore, vetëm në vitin 2017 mbi 10 000 e kanë lëshuar Republikën e Maqedonisë, synimi i tyre ka qenë puna, por varësisht rrjeteve të ndryshme kanë përfunduar edhe në luftëra”, tha për Alsat-M, Bashkim Selmani, Ekspert i sigurisë.

Sipas sociologut, Gjorgji Tonovski është për të ardhur keq që këta shtetas tanë që kanë parë skena nga më çnjerëzoret në Siri, janë kryesisht të rinj të moshës 20 vjeçare. Tonovski është i prerë se faj për devijimin e këtyre të rinjve para së gjithash kanë prindërit dhe punonjësit profesionistë nëpër shkolla, si pedagogët dhe psikologët, të cilët nuk ua kanë dhënë edukatën e nevojshme dhe nuk reaguar në kohë. Pasi sipas tij, këta individë kanë qenë në moshën më delikate të mundshme.

“Dikush ato i ka orientuar në drejtim të gabuar. Dikush ato i ka orientuar në drejtim nga i cili nuk ka kthim. Në drejtim që do të thotë stigmatizim të ekzistencës së tyre, që i lidh me anët e errëta të jetës si vrasja, çnjerëzorja. Dëmi është se në fazat deri tek radikalizimi askush nuk e ka vërejtur se këta e kanë fokusuar vëmendjen dhe energjinë e tyre në drejtim të gabuar. Këtë duhej ta vërenin në kohë edhe mësimdhënësit edhe prindërit dhe të merreshin masat e duhura”, theksoi Gjorgji Tonovski, Sociolog.

Tonovski shton se droga, një vend pune ose një lidhje dashurie mund gjithashtu të kenë qenë shkaqet që i kanë shtyrë këta të rinj të radikalizohen. Gjithsesi ai thekson se këta individë mund të kenë pasoja pas-traumatike dhe madje të keqpërdoren nga qarqe të ndryshme në vend.

Marketing