Ekspertët: Shumë pasaktësi në regjistrimin e popullsisë së Nju Jorkut

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2020 në qytetin e Nju Jorkut u mbajt në muajin mars, gjatë ditëve të para të pandemisë. Rezultatet ishin befasuese dhe mund t’i kushtojnë qytetit para, thonë ekspertët. Por mund t’i kushtojnë edhe përsa i përket përfaqësimit të tij në Kongres.

Disa ekspertë janë të shqetësuar se rezultatet e regjistrimit të popullsisë në qytetin e Nju Jorkut në vitin 2020 mund të jenë shumë të pasakta.

Marketing

Kjo sepse shumë banorë të pasur ishin larguar nga qyteti për t’iu shmangur koronavirusit dhe banonin në shtëpitë e tyre verore. Shumë prej tyre nuk morën pjesë në regjistrim, madje as edhe në internet.

“Pyetja është: si iu përgjigjën ata kërkesës për regjistrim? Ndoshta nuk iu përgjigjën fare? Apo iu përgjigjën nga një shtëpi ku kishin shkuar të banonin vetëm për një pjesë të vogël të vitit, deri sa të largohej pandemia?” thotë profesor Wice.

Për shkak të pandemisë, shumë banorë të Nju Jorkut nuk i hapën dyert kur punonjësit e regjistrimit erdhën verën e kaluar.

Melva Miller është drejtuese ekzekutive e Shoqatës për një Nju Jork më të mirë.

Ajo punoi për të edukuar njerëzit për regjistrimin dhe madje organizoi aktivitete të tipit flash-mob në sheshin Times Square për të rritur ndërgjegjësimin se përse numërimi i popullsisë është kaq i rëndësishëm.

“Arsyeja pse e bëjmë këtë është që të dimë se si t’i shpërndajmë fondet federale prej miliarda dollarësh, ka të bëjë edhe me përfaqësimin në Kongres. Në thelb, kjo do të thotë, para, pushtet dhe stabilitet ekonomik për komunitetet tona. Dhe kur flasim për vendet në Kongres, në Dhomën e Përfaqësuesve, në kolegjin elektoral, kur flasim për zgjedhjet presidenciale dhe se si funksionojnë ato, këto të gjitha lidhen me regjistrimin, pra lidhen me njerëzit,” thotë Melva Miller.

Nju Jorku megjithatë kishte përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes, 61 përqind, në krahasim me qytetet e tjera të mëdha. Por për të patur një pasqyrë të plotë demografike të popullsisë në qytetin e Nju Jorkut, thonë ekspertët, 61 përqind nuk mjafton.

“Shumë njerëz nuk i besojnë qeverisë; ata nuk duan të ndajnë informacione. Pra, ekziston një farë mosbesimi. Përpjekja e ish Presidentit Trump për të shtuar në pyetësor një pyetje mbi shtetësinë, krijoi mosbesim te miliona njerëz për qeverinë federale…” thotë profesor Wice.

Pyetja për shtetësinë nuk u shtua ndonjëherë, por disa ekspertë thonë se polemika në vetvete bëri që disa banorë që nuk janë ende shtetas të ngurrojnë të marrin pjesë.

“Nëse mendojmë numrin e banorëve të lindur jashtë Amerikës dhe komunitetet e tjera që kanë patur marrëdhënie të komplikuara me qeverinë e SHBA, e kuptojmë pse është e vështirë të kesh një tablo të saktë për njerëzit që jetojnë këtu,” thotë Melva Miller.

Si rezultat, në shtetin e Nju Jorkut mund të mos jenë numëruar saktë banorët që jetojnë aty dhe ekspertët thonë se kjo mund të ketë ndikim në të paktën dy vende që përfaqësojnë këtë shtet në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA